Telegrafi

Arton Zekaj: Përballja me anglezët është një sfidë e vështirë, por në çdo ndeshje do të hyjmë për fitore

Përfaqësuesja e grupmoshave deri në 21 vjet e ka mbajtur sot seancën e dytë stërvitore për ndeshjen kundër Anglisë, e cila zhvillohet më 9 shtator, në qytetin Hull, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021.

Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë, derisa edhe forma e futbollistëve duket në nivel, gjë e cila e rrit dukshëm entuziazmin para duelit tejet të vështirë me “Tre Luanët”.

Para mediave ka folur edhe lojtari që e la kombëtaren serbe për Kosovën, Arton Zekaj, i cili luan për skuadrën franceze të Lilles.

“Jam krenar që do ta përfaqësoj Kosovën dhe ndihem shumë mirë me këtë grup të futbollistëve. Stërvitja kaloi shumë mirë dhe besoj se gjatë ditëve në vazhdim do ta njohim edhe më mirë lojën e njëri – tjetrit dhe kundër Anglisë do të paraqitemi sa më mirë”.

“Normalisht se përballja me anglezët është një sfidë e vështirë, pasi kemi të bëjmë me njërën prej ekipeve më të forta në botë, mirëpo ne në çdo ndeshje do të hyjmë për fitore”, ka pohuar futbollisti.

Ndryshe, Zekaj ka kaluar të gjitha grupmoshat e kombëtares serbe, por që në fund zgjodhi Dardanët. /Telegrafi/