Telegrafi

Arton Humolli fitoi çmimin e dytë në Fokus

Një jetë në detaje. Mund të mendoje edhe kështu, teksa kalon nga një fotografi te tjetra, e ekspozuar në edicionin e katërt të konkursit ndërkombëtar të fotografisë "Fokus". Mbahet në qytetin e Fierit, ku mbrëmjen e së shtunës janë ndarë edhe çmimet.

Ceremonisë i ka paraprirë ekspozita e hapur në ambientet e galerisë së qytetit. Ndonëse zakonisht ndodh që kryeqyteti është më i synuar për aktivitete artistike, qoftë për faktin se organizatorët e kanë më të sigurt jehonën apo mendojnë për një përthithje më të madhe nga publiku, ky aktivitet ka synuar të konsolidohet në një qytet si Fieri. Ka tashmë edhe publikun e tij. Ata që e duan fotografinë, të cilët ndalojnë të shohin jo thjesht një imazh, por një botëkuptim. Ka dhe nga ata, që kurioziteti i shtyn drejt një hapësire ku bëhet art.

Në ekspozitë prezantohen 76 artistë, secili me nga një fotografi. Janë zgjedhur mes 115 konkurrentëve të fillimit. Veç fotografëve nga Shqipëria, vijnë nga Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia, Kroacia, Bullgaria, Franca, Turqia, Amerika, Anglia, Indonezia dhe India. Janë këndvështrime të ndryshme, që lidhen jo vetëm me brumosjen artistike të gjithsecilit, por edhe me kulturat nga vijnë.

Çmimet janë ndarë në një ceremoni të organizuar në një restorant në periferi të qytetit. Nën tingujt e muzikës "live", në prani të artistëve, përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe mediave, përmes një projektori janë shfaqur 15 fotografitë e zgjedhura për një fazë të dytë konkurruese.

Në përfundim, juria e përbërë nga italiani Francesco Licata, Enver Bylykbashi nga Kosova dhe Faruk Basha nga Shqipëria kanë përzgjedhur tre fituesit. Çmimet e edicionit të katërt kanë mbetur në trevat shqiptare.

Fotografia e Endri Danit, personazhet e së cilës janë një çift pleqsh në një banesë të varfër shqiptare, ka merituar çmimin e parë. Duke iu referuar traditës së fotografisë shqiptare, ku emri i Marubëve ka bërë historinë, përfaqësuesit e jurisë kanë theksuar se është i përligjur fakti që ky çmim shkon në Shkodër.

Çmimi i dytë ka shkuar për Arton Humollin nga Kosova, ndërsa i treti për fotografin shqiptar, Mirel Gjyzari.

"Konkursi ‘Fokus‘ është një aktivitet artistik për evidentimin dhe vlerësimin e fotografisë artistike, e mbi të gjitha një mundësi për shprehje sa më të lirë dhe transparente në botën e fotografisë artistike. Qëllimi i këtij aktiviteti është përballja e shkollave dhe eksperiencave të ndryshme nga rajoni, me dëshirë që të provokojë një dialog profesional mbi fotografinë artistike, duke u kthyer në një pikë takimi të përvitshëm ballafaqimi të këtyre vlerave", shprehet ideatori dhe organizatori i këtij konkursi ndërkombëtar, Arben Alliaj.

Ndërkohë që Faruk Basha, në pozicionin e kryetarit të jurisë, theksoi se vit pas viti ky aktivitet ka parë një rritje jo vetëm të numrit të konkurruesve, por edhe të cilësisë artistike. Konkursi nuk ka pasur një temë të përcaktuar. Për rrjedhojë shprehja artistike brenda formatit të përcaktuar ka qenë e larmishme. Në bardhë e zi apo me ngjyra, në detaje të shkëputura nga e përditshmja, në portrete apo edhe në fotografi të kompozuara, secili prej artistëve paraqet jo vetëm një botë të jashtme, por edhe të brendshme, intime të secilit prej tyre.

"Bota e shprehjes, me të cilën nënkuptoj artet vizive, sidomos fotografinë artistike, si dhe atë të poezisë, letërsisë, muzikës, teatrit, etj., lëviz dhe zhvillohet në plane të ndryshme paralele dhe secila prej tyre ka gjuhën e vet, ligjet e veta, si dhe ritmet evokuese dhe narrative. Fotografia nuk është vetëm një pasion, por një mënyrë e të qenit, e të ndjekurit dhe interpretimit të realitetit. Mirëpo, kur flasim për fotografinë artistike do të ishte shumë pak, sikur ky realitet të mos shndërrohej në diçka të bukur, përmes së cilës transmetohet një e vërtetë, një emocion apo një mesazh, duke na njohur së afërmi edhe me botën dhe gjendjen shpirtërore të autorit, si dhe inspirimin kreativ të tij. Edhe pse shumica e këtyre fotografive përmbushin në radhë të parë autorin e pastaj shikuesin, shihet një përpjekje që komunikimi mes tyre të jetë sa më i afërt dhe më i ndjeshëm", thekson Osman Demiri, kuratori i ekspozitës, fotograf dhe kryetar i shoqatës artistike "Draudacum" të Gostivarit.

Gjatë këtyre viteve, fotografia ka qenë më shumë e pranishme përmes ekspozimeve në raste të caktuara se sa në konkurse të posaçme. Edhe kur kanë ekzistuar janë vënë në dyshim, siç ndodhi me konkursin "Marubi", që organizohej çdo vit në Galerinë Kombëtare të Arteve. Përligjja e mbylljes së këtij konkursi erdhi me ekzistencën e një tjetër konkursi, "Onufri", që në brendinë e tij përfshin edhe fotografinë. Ndërkohë ekspozita me fotografitë e "Fokus", e çelur në ambientet e galerisë së qytetit të Fierit, do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për rreth dy javë. /Shqip/