Site icon Telegrafi

Artmotion vjen me një sqarim për klientët, pas ndërprerjes së transmetimit të disa kanaleve

ARTMOTION përmes një reagimi ofron sqarime në lidhje me ndërprerjen e ritransmetimit të kanaleve që janë pjesë e platformës së Digitalb, në mënyrë që të adresohen pyetjet klientëve.

“Ju njoftojmë se përmbajtja e ofruar në platformën tonë transmetohet në përputhje me afatet kohore të përcaktuara në marrëveshjet komerciale me bartësit e të drejtave të kanaleve përkatëse. Si rrjedhojë, kanalet që ishin siguruar përmes marrëveshjes me Digitalb janë larguar, meqë ka skaduar marrëveshja mes Artmotion dhe Digitalb”.

“Për shkak të kompleksitetit të sigurimit të të drejtave programore, Artmotion, përkundër përpjekjeve dhe bisedimeve për të siguruar përmbajtjen nga Digitalb, nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje të re për shkak të ndryshimeve në kushtet e negociuara në mes të palëve në momentet e fundit, veprim ky i cili na ka pamundësuar që të sigurojmë këtë marrëveshje”.

“Artmotion, si kompani vendore, vazhdon të ofroje programet më të preferuara për ju dhe njëkohësisht ju siguron që do të pasurojë vazhdimisht platformën me përmbajtje të ndryshme. Gjatë vitit të kaluar, kemi shtuar kanalet e platformës Tring dhe për më tepër, kemi përfshirë kanalet më të pëlqyera si Big Brother VIP Kosova. Po ashtu, gjatë këtij viti, përmbajtja do të pasurohet me ngjarje sportive, argëtuese dhe kulturore, të cilat do të vijnë ekskluzivisht për territorin e Kosovës në platformën tonë, Artmotion”.

“Artmotion është e përkushtuar në vazhdimësi për të zgjeruar gamen e kanaleve dhe eventeve në platformën tonë.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj dhe për besimin e vazhdueshëm që keni ndaj platformës sonë, e cila mbetet numri një në vend!”, thuhet në sqarimin e Artmotion. /Telegrafi/

Exit mobile version