Site icon Telegrafi

Artizania nga Shishtaveci i Kukësit

Në historikun shqiptar të artizanatit, Kukësi zë një vend të veçantë. Që në kohët e moçme, endja në vegjë e pëlhurave prej liri, pambuku e leshi, punimet me grep, qëndisjet, prodhimi dhe dekorimi i veshjeve popullore, kanë qenë profesioni i vetëm për gratë dhe vajzat e kësaj zone.

Hatixhe Kallabaku nga Shishtaveci, është artizania e vjetër e fshatit.

“Kam 21 vjet që punoj pa u shkëputur në këtë zanat. Sa të mundem do të punoj, pasi është një punë e vështirë, por e mirë”, thotë ajo. “Çdo vajzë ka një veshje popullore. Ka shumë kërkesa për veshjet popullore, se e duan kulturën tradicionale. Kam porosi nga shumë qytete, deri në Mitrovicë. Nga Gjirokastra kam shumë kërkesa, si për veshjet e grave dhe të burrave”.

Shishtaveci ka qene fshati ku çdo familje ka pas vegjë në shtëpi, por me kalimin e kohës dhe emigracioni ky zanat filloi duke u zbehur tek vajzat dhe gratë.

“Kur ishim të reja nuk ka pasur vajzë në fshat të mos dijë të përdorë vegjë, pasi atëherë këto ishin veshjet tona të përditshme. Pas viteve 1090 e lanë punën në vegjë. Më pas nisëm dy gra të punonim dhe filluam të kishim shumë kërkesa”, shprehet Hatixhja.

Fakti që Kukësi ka qenë shumë i izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë, për mungesë të infrastrukturës rrugore ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen e traditave të artit popullor, që vjen pothuajse e pandryshuar deri në ditët e sotme. Tekstilet e leshta të Kukësit shquhen për teknikën unike, ashtu siç janë të veçanta edhe thurjet me shtiza, ojat, dantellat, qëndisjet e shumëllojshme.

Veshjet popullore manifestojnë kulturën tradicionale të zonës dhe janë trashëguese e transmetuese të shumë elementëve që vijnë nga lashtësia. Janë karakteristike dhe të lashta edhe motivet popullore që përdoren në prodhimin e qilimave dhe sexhadeve, me kombinime shumëngjyrëshe me shije të hollë artistike, të cilat nuk mund të gjenden në asnjë zonë tjetër në Shqipëri. /atsh/

Exit mobile version