Artisti portugez Sergio Odeith karrierën e tij me sprej e filloi kah mesi i viteve të 90-ta, e sot krijon vepra të mrekullueshme arti.
Odeith kah mesi i viteve të 90-ta filloi me vizatimin e grafiteve – kryesisht ilegalisht në muret e stacionit të trenit, e puna e palodhshme e bëri atë një artist të njohur që realizon murale gjigante, transmeton Telegrafi.
Disa prej tyre i ka realizuar në Damal, Carcavelos dhe lagjet e tjera të varfra të Amadores. Sergio kishte braktisur shkollën si 15-vjeçar, por pavarësisht që nuk arriti të diplomohet – ai për asnjë moment nuk hoqi dorë nga ëndrra e tij.
Në veprat e tij identifikohet si Samouk, e emri i tij u bë i njohur pas vitit 2005 dhe njihet për teknikën e tij të veçantë të anamorfozës – iluzionit optik.
Stili i veçantë i anamorfozës që më vonë njihej si Somber 3D, nënkupton kompozicione autentike të insekteve gjigante apo objekteve që i realizon nëpër zonat e “braktisura”, e që janë bërë virale nëpër rrjetet sociale.
Si artist tatuazhesh punoi nga viti 1999 deri më 2008, jetoi në Londër, e aktualisht në Lisbonë ku është fokusuar ekskluzivisht në punën e tij në mure të betonit. /Telegrafi/