Artisti disident kinez Gao Zhen është arrestuar me dyshimin për “fyerje të heronjve dhe martirëve revolucionarë”, tha vëllai i tij dhe partneri artistik Gao Qiang.
Vëllezërit Gao janë të njohur për skulpturat e tyre provokuese, të cilat kritikojnë themeluesin e Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Dun dhe regjimin e tij, transmeton Telegrafi.
Gao Zhen u largua nga Kina dy vjet më parë për të jetuar përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara, por kishte qenë për të vizituar familjen kur u arrestua në provincën Hebei, tha vëllai i tij në një postim në Facebook.
Autoritetet kineze nuk i janë përgjigjur pretendimeve të Gao Qiang, i cili tha se rreth 30 oficerë policie sulmuan studion e artit të vëllezërve në Sanhe City më 26 gusht.
Ai shtoi se ata kanë konfiskuar disa vepra arti përveç ndalimit të Gao.
Që nga vitet e 80-ta, vëllezërit kanë marrë vlerësime ndërkombëtare për vepra të tilla si Faji i Maos, një statujë prej bronzi e ish-diktatorit komunist i gjunjëzuar i penduar.
Vepra të tjera përfshijnë Ekzekutimin e Krishtit, një statujë që përshkruan Jezusin përballë një skuadre pushkatimi të Maos, dhe Miss Mao, një koleksion statujash të Maos me gjoks të madh dhe hundë të dalë.
Mao Ce Duni, i quajtur shpesh Kryetar Mao, ndihmoi në themelimin e Kinës komuniste në vitin 1949 dhe e udhëhoqi atë përmes një periudhe të trazuar në vitet 1960 dhe 1970 të njohur si Revolucioni Kulturor, në të cilin besohet se kanë vdekur më shumë se një milion njerëz.
Gjatë kësaj periudhe, babai i vëllezërve Gao u etiketua si armik i klasës dhe u tërhoq zvarrë në një vend që nuk ishte “burg, jo stacion policie, por diçka tjetër, ku ai vdiq”, tha Gao Zhen për The New York Times në 2009. /Telegrafi/