Telegrafi

Artisti i gjilpërës së thatë

Është një nga artistët më prezentë në Kosovë me punën e tij, por që tashmë jeton në Austri, konkretisht në Vjenë.

Grafikët e tij ndikojnë thellë në mendjen e çdo publiku, të cilat përmbajnë qasje bashkëkohore që në esencë kanë një gjuhë të qartë artistike konkrete me një estetikë tejet të dukshme dhe të theksuar.

Ndërkaq, nuancat kreative janë të realizuara me një teknikë të vështirë, që përfshijnë një spektër të gjerë, si në teknikën e gjilpërës së thatë, bashkëshkrimit, akuatintës, digjitales etj.

Grafika e tij ngërthen në vetvete mesazh të qartë artistik, mesazh të thellë që në subjektivitet përmban një shpresë domethënëse artistike, e cila bazat i ka ndokund në lashtësi.

Interpretimi i tij ndaj këtij lëmi është sikur një aktor që luan në skenë, një aktor që ka studiuar mirë rolin, ka kapur atë thelbin kryesor, e këtë gjë e bën edhe Mejzini në veprat e tij, të kthjellura, domethënëse.

Ai ka një interpretim të hapur ku vrojtohet larmia e temave, duke filluar nga portreti, portat, kompozicionet gjeometrike e deri tek ato me forma asociative figurative.

Lakimin dhe vendosmërinë e formës ai e vendos në vend të duhur dhe i jep një frymë të gjallë; veprat e tij janë të gjalla; ato flasin në vete, por duhet ditur t’i fusësh në funksion, sepse çdonjëra ka një shpirt artistik dhe një motor që nuk di të harxhohet.

“Por, të jesh një artist i madh, së pari duhet të jesh njeri i mirë, i sinqertë me veten, ta zbulosh në brendësi veten, t’i dëgjosh zërat e padëgjuar”, thotë Mejzini.

Stili i tij është unik, i thellë, konkret dhe depërtues në opinion. Stili i tij ringjall një botë të brendshme artistike, të paprekur, me plot ambicie të larta.

Ky artist me një pedanteri i qaset përpunimit të elementeve që i bart në kompozicion, me imazhe bindëse dhe funksionale të cilat komunikojnë edhe me auditoriumin e përmasave ndërkombëtare.

Ilir Muharremi, kritik teatri