Telegrafi

Artisti i famshëm Nick Cave i dërgon përshëndetje të përzemërta DokuFestit në Kosovë

Edicioni i 21-të i festivalit DokuFest do të zhvillohet sivjet në periudhën 5-13 gusht, si gjithmonë në Kalanë e Prizrenit.

Me një program special dhe mysafirë nga vende të ndryshme, edhe edicioni i sivjetmë pritet t’i rikthejë gjallërinë qytetit të Prizrenit në ditët e nxehta të verës.

Teksa po bëhen përgatitjet për festivalin e vitit 2022, duket se emra të njohur nga mbarë bota po përshëndesin këtë organizim vendor.

Foto: DokuFest/Instagram

Mes të tjerash, edhe këngëtari australian me famë botërore, Nick Cave, përmes rrjetit social Twitter dërgoi një përshëndetje të ngrohtë për festivalin e filmit.

“Për dashurinë në DokuFest, Prizren, Republika e Kosovës”, ka shkruar Crave në një banderolë, bashkëngjitur edhe me nënshkrimin e tij.

Faqja zyrtare e DokuFest-it në Twitter e publikoi fotografinë duke shkruar: “Jemi shumë të emocionuar që vetë Nick Cave i ka dërguar DokuFest-it dashurinë e tij. Gjithë dashurinë. Faleminderit Valentina dhe Giovanni për realizimin e kësaj”.

DokuFest siç e ka në traditë edhe sivjet do të shpërblejë me çmime nga një juri profesionale, prodhimet më të mira kinematografike vendore dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/