Telegrafi

Artisti me famë ndërkombëtare Soolking në studio me Dhurata Dorën, ia besojnë duetin producentit të suksesshëm Big Bang

Jo pak herë muzikantët me famë jashtë trojeve shqiptare kanë shprehur simpati ose kanë çmuar muzikën e këngëtarëve vendorë.

I tillë është reperi i njohur algjerian Soolking, i cili së fundmi është parë nën shoqërinë e këngëtares shqiptare, Dhurata Dora.

Ai ka publikuar në rrjetin social Instagram një video, ku shfaqet bashkë me Dhuratën në studio, teksa shijojnë atmosferën e këngës që ata po përgatisin.

Kjo këngë i është besuar producentit të njohur, Big Bang Beats, sukseset e të cilit kanë arritur deri në rrafshin ndërkombëtar.

Kompozimi i një kënge për emra të njohur nga muzika e huaj (në këtë rast Soolking), shënon vazhdimësinë e suksesit që Big Bang pati me Era Istrefin, kur i punoi asaj këngën “Bon bon”, e cila i dha famë ndërkombëtarisht artistes.

Mbetet të shihet nëse të njëjtën jehonë mund ta ketë edhe bashkëpunimi i ri mes artistëve Dhurata Dora dhe Soolking. /Telegrafi/