Site icon Telegrafi

Artistët shqiptarë që u ndanë nga jeta në vitin 2022

Viti 2022 ka qenë i mbushur me ngjarje të shumta në showbizin shqiptar dhe jo vetëm.

Sikurse çdo vit tjetër, edhe në këtë që lamë pas pati lajme ekskluzive të ndryshme në muzikë, kulturë e art.

E përveç atyre pozitive, nuk munguan as momentet e dhimbshme e prekëse sikur kumtimi i atyre që u ndanë nga jeta.

Në këtë mes, estrada dhe kinematografia e Kosovës pësuan një humbje të madhe me largimin e disa figurave, që njëmend bënë bujë me veprat e tyre të jashtëzakonshme.

Lexo po ashtu Ndahet nga jeta drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti Arlind Gjikolli - Gjikla

Në 2022 ndërroi jetë këngëtari nga Peja, Eduard Meraku i njohur si Edi King, artisti i mirënjohur, Luan Hajra, muzikanti Arlind Ibrahimi, regjisorja dhe producentja Vjosa Berisha, balerina e parë kosovare, Esma Mulla si dhe drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti, Arlind Gjikolli – Gjikla.

Eduard Meraku – Edi King

Eduard Meraku – Edi King

Eduard Meraku i njohur për të gjithë si Edi King ka ndërruar jetë në janar të vitit 2022.

Ai vdiq në moshën 65-vjeçare si pasojë e një sulmi kardiak.

Edi King nuk ka dyshim se do të mbetet një gjurmë e pashlyer në historinë e muzikës shqiptare.

Artisti pejan shquhet për disa këngë si: “Meraku”, “Puthja e parë dhe e fundit”, “Shumë të dua”, “Mëngjesi”, “Për të”, “Do të jetosh në këngën time” etj.

Muzika me të cilën identifikohej më shumë është ajo pop-rock.

Mes tjerash, Edi ishte edhe njëri ndër themeluesit e rock-grupit kosovar “Seleksioni 039” të njohur për hitet e tyre në vitet e 80-ta dhe 90-ta.

Luan Hajra

Luan Hajra

Këngëtari i madh shqiptar, Luan Hajra, u nda nga jeta më 27 shkurt të vitit 2022.

Artisti që gjithë jetën ia kushtoi muzikës popullore u lind më 31 korrik të vitit 1949 në qytetin e Mitrovicës.

Përgjatë gjithë këtyre viteve, i ndjeri realizoi këngë e bashkëpunime të shumta me emra të mëdhenj të skenës shqiptare.

Disa këngë të shkëputura nga krijimtaria e tij janë: “Dashurova unë një vajzë”, “Mbrëmja e maturës”, “O Zambak”, “Kur hana del”, “Te dugoja e re”, “Po ta marrë këngën me saze”.

“Arabella” – ka qenë kënga që e bëri më të famshëm, me të cilën në vitin 1973 mori pjesë në festivalin e njohur “Akordet e Kosovës”.

Shumë nga perlat që krijoi interpretohen në ditët e sotme nga këngëtarë të ndryshëm.

Arlind Ibrahimi

Arlind Ibrahimi

Muzikanti nga Gjilani, Arlind Ibrahimi, ndërroi jetë më 25 maj të vitit 2022.

Ai ishte 32-vjeçar.

Sipas raportimeve që u bënë nga mediat, artisti shqiptar u gjet pa shenja jete në një banesë në lagjen “Kalabria”.

Megjithëse nuk ishte shumë i njohur për publikun, i ndjeri kreu shkollimin për muzikë në qytetin e tij të lindjes, Gjilan.

Përveç mbrëmjeve të shumta muzikore, Arlindi kishte qenë i përfshirë edhe në një nga televizionet në vend.

Vjosa Berisha

Vjosa Berisha

Një personazh i famshëm që vdiq në vitin 2022 ishte edhe regjisorja dhe producentja, Vjosa Berisha.

Artistja shqiptare u nda nga jeta më 23 qershor 2022 në “University College Hospital” në Londër.

E ndjera prej më shumë se një vit ishte diagnostikuar me kancer në vezore, ndërsa filloi trajtimet menjëherë jashtë vendit.

Berisha prej shumë vitesh ka qenë e përfshirë në industrinë e filmit, e në projekte të ndryshme që kryesisht lidhen me artin.

Producentja, që la pas vetes një karrierë të bujshme artistike, ka lindur më 23 korrik të vitit 1972 në Prishtinë.

Ajo ka mbi 20 vjet përvojë në marrëdhëniet me publikun, median e po ashtu edhe industrinë e filmit.

Artistja kishte krijuar një kompani të quajtur ‘B2’ së bashku me partnerin e saj, Fatos Berisha, me zyrë në Kosovë dhe Shqipërisë.

Vjosa ishte gjithashtu bashkëthemeluese dhe ka menaxhuar Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë (PriFest) që nga fillimi, në pozitën e drejtoreshës që e ka rikthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e filmit në Kosovë.

Festivali në fjalë ka në konkurrim programe evropiane, ballkanike, të mesme dhe dokumentare, si dhe drejton një platformë rajonale të industrisë së filmit PriFORUM.

Berisha në vitin 2015 mori kursin e EAVE Producers Workshop, duke u bërë pjesë e këtij rrjeti të madh producentësh nga Evropa dhe bota, si e diplomuar në EAVE Generation 2015.

Mes tjerash, Vjosa prodhoi dy filma artistikë deri më sot, filmin e saj të parë artistik si producente – “The Flying Circus” (2019) me skenaristin dhe regjisorin Fatos Berisha dhe bashkë-prodhuar filmin artistik maqedonas, “The Happiness Effect” (2019) me regjisorin Borjan Zafirovski.

Ka punuar gjithashtu edhe në shumë projekte të tjera video dhe televizive.

Vjosa ishte anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit që nga viti 2013.

Ajo ka qenë e martuar me producentin Fatos Berisha dhe kanë bashkë një djalë të quajtur, Lekë.

Esma Mulla

Esma Mulla

Njëra nga balerinat e para kosovare, Esma Mulla, vdiq po ashtu në vitin 2022, më 29 qershor.

Ajo lindi më 22 shtator të vitit 1952 dhe ishte me origjinë nga Peja.

Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit, teksa ka qenë e shkëlqyer me performancat e saj të veçanta.

E njohur gjithashtu për një mori rolesh dhe shfaqjesh si: “Legjenda mbi ngadhënjimin“, “Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“ etj.

E ndjera kontribuoi vazhdimisht për artin e vallëzimit dhe teatrit, por dhe në kulturën e vendit në tërësi.

Arlind Gjikolli – Gjikla

Arlind Gjikolli – Gjikla

Të hënën (5 dhjetor 2022) pas një sëmundjeje të rëndë iku nga kjo jetë për në botën e amshuar drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti, Arlind Gjikolli – Gjikla.

Ai ndërroi jetë në moshën 41-vjeçare.

I ndjeri ishte themeluesi i grupit “W.N.C” nga Peja “W-hite N-iggaz C-lan” (Klani i zezakëve t’bardhë).

Labeli, i cili u krijua në vitin 1996, u bë më i famshëm për audiencën shqiptare kur në treg doli CD-ja e tyre e parë “Pse”.

Projektet në këtë album janë mjaft interesante, duke gërshetuar në vete një rrymë të muzikës që shumë pak ka qenë e pranishme asokohe në treg.

“W.N.C” përveç Arlindit, ishte i përbërë nga Besnik Belegu, Faton Hajredinaj dhe Dardan Belegu, që lirshëm mund të thuhet se kanë qenë një nga rap-grupet e para shqiptare.

Në vitin 2000, ata publikuan albumin “Pse”.

Në 2002, të njëjtit sollën një tjetër album të ri të quajtur “Maximum”.

Në qershor të vitit 2003, “W.N.C” marrin pjesë në VFM 2003 me këngën “Qikat E Mira”.

Në nëntor 2005, “W.N.C” marrin pjesë në “Kënga Magjike” me këngën “Te Qilla”.

Njëra nga këngët më të suksesshme të tyre mbetet bashkëpunimi me Rebel a.k.a Unikkatil, “Shuj”.

Më poshtë ua sjellim disa nga hitet e grupit “W.N.C”:

WNC – “Për ty”

WNC – “Ça kum pas”

WNC – “Mit i vërtetë”

WNC – “500’shat”

WNC – “Joint the Basket”

WNC – “Pse”

WNC – “Gabimi”

WNC – “Rap Rugova”

WNC – “Dora”

WNC – “Am Am”

WNC – “Ondra e Verës”

WNC – “Kush je more ti ej”

WNC – “Qikat e Mira”

WNC – “Kristal e bardhë”

WNC – “Ku shkon ti”

Me një mori këngësh të suksesshme që sollën ndër vitesh, Gjikla pas grupit “W.N.C” ka vazhduar edhe solo-karrierën.

E një prej projekteve që nuk duhet lënë pa përmendur është edhe “Juda”, me anë të të cilës e kishte ‘goditur’ politikën.

Krahas karrierës së bujshme në muzikë, Gjikla në dhjetë vitet e fundit ishte “COO” (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit.

Për vdekjen e Arlindit pati reagime të shumta nga liderë politikë, personazhe të showbizit e kulturës, disa prej të cilëve e falënderuan për këshillat dhe mësimet që kishte ndarë me ta.

Exit mobile version