Telegrafi

Artistët vazhhdojnë të protestojnë në Tiranë, kundër shembjes së Teatrit Kombëtar

Artistët janë mbledhur sërish këtë të enjte pranë godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë,për të protestuar kundër prishjes së institucionit.

Aktori Gent Zenelaj i është drejtuar Kiço Londos duke i thënë të mos qajë, teksa kreu i Teatrit Eksperimental po e shihte protestën nga njëra prej dritareve të Teatrit.

“Unë sot në këtë shtet kam parë sesi janë zbythur të gjitha vlerat normale që ka një popull. Kam parë sesi tradhtia ndodh natën dhe ditën shitet si kompromis. S’po e teproj aspak, por po u them atyre, uroj që të vijë dita që ta bëjnë gjumin e qetë. Më kanë akuzuar mua se jam partiak se votojmë atë parti që duam. Ju keni partinë e lekut, zoti i juaj është leku, bëni be për lekun. Më lejoni t’u quaj qytetar të lirë të këtij vendi, unë sot përulem para jush. Faleminderit që zgjodhët që të jeni të lirë. Kiço mos qaj, do bëjmë teatër më të mirë i dashur, mos qaj, ej mos qani. Do bëjmë teatër të ri. Do bëjmë teatër në rrugë”, u shpreh Zenelaj.

Aktori Neritan Liça gjatë fjalës së tij u shpreh se kjo është shfaqje e shëmtuar. Ai fton të gjithë artistët të bashkohen.

“Ne i tronditëm, i bëmë që të lëviznin më shpejtësi. Të gjithë ata që do votojnë atë ligj, të gjithë ata policë që do vinë këtu. Hajdeni këtu mua këto do më keni, do ta shikoni. Hajdeni dhe ju kolegë që na shikoni nga televizori. Çfarë do shikoni kur të prishtet Teatri, shfaqen e shëmtuar me dinamit. Hajdeni këtu dhe do ta shikoni se çfarë ju pret”, tha Liça.

Ndërkaq, regjisori Robert Budina u ka bërë thirrje politikanëve ta ndalin këtë masakër.

“Situata është e rënë, ajo që ndodhi sot në Parlament është atentat kundër demokracisë. Nëse ky projektligj kalon, dhe shoqëria nuk reagon atëherë jemi në kolaps të plotë. Nuk po flas për Teatrin Kombëtar, flas për shoqërinë shqiptare. Unë ju bëj një thirrje të reagojmë dhe t’u tregojmë deputetëve që ishin në parlament sot se ne nuk jemi me ngjyra politike, se ata e kanë në dorë fatin. Nuk duhet votuar ai ligj, të tregojnë qytetari që ashtu si ne kemi treguar këtu për 44 muaj nuk kemi bërë asnjë veprim të tejskajshëm. Ndaloni në këtë masakër që po i bëni vendit”, tha Budina.