Telegrafi

Artistët dhe qytetarët, Qeverisë për Teatrin Kombëtar: Nëse e miratoni projektligjin do të ngujohemi!

Teatri Kombëtar do të shembet me miratimin e përshpejtuar të projektligjit për teatrin në datë 5 korrik. Mazhoranca ka përdorë procedurën e rasteve emergjencë, duke mos e kaluar për diskutim projektligjin për teatrin. Kryeministri Edi Rama vendosi të mos vendosë firmën e tij.

74 deputetë të maxhorancës kanë votuar pro prishjes së Teatrit Kombëtar! Takimi i artistëve Altin Basha, Arben Derhemi dhe Alfred Trebicka me negociatorin Erion Veliaj, ndryshe nga çfarë u tha nga vet artistët, nuk ndryshon asgjë në vendim e Ramës se “Teatri Kombëtar do të prishet”. Kontrovers është edhe vlerësimi, që sipas një vendimi të qeverisë i është bërë truallit në një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit.

Sipas një vendimi të qeverisë, 8,465 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës është vlerësuar për 500 milionë lekë për metër katrorë, ndërkohë që në këtë zonë një apartament i zakonshëm kushton mbi 2,500 euro për metër katrorë, ndërsa një dyqan për 5-6 mijë euro për metër katror. Kryeministri shmangu dje firmën e tij, duke ia ngarkuar këtë detyrë zëvendëskryeministrja Senida Mesi. Shqyrtimi në seancë plenare do të bëhet do të bëhet ditën e enjte të javës që vjen. Kjo seancë do të paraprihet nga shqyrtimi në komisionin përgjegjës, që do të zhvillohet në datat 2-3 korrik.

Megjithatë, kjo procedurë e përshpejtuar ka nxitur reagim të fortë tek komuniteti i artistëve, aktivistëve, intelektualëve e qytetarëve të thjeshtë, të cilët ditën e djeshme i kanë bërë thirrje Ramës, Kumbaros dhe Veliajt, ta tërheqin projektligjin sa janë në kohë. Protesta në mbrojtje të TK dje ishte verbalisht më e ashpër se çdo herë tjetër. Pjesëmarrja e qytetarëve ishte e madhe. Artistët Alert Çeloaliaj, Robert Budina, Anila Bisha, Neritan Liçaj etj., u shprehën se nuk do të tuten prej TK dhe se do ta pengojnë me çdo kusht, shembjen e tij në formë mafioze, sepse ajo godinë përfaqëson trashëgiminë kulturore të këtij vendi. Deklaratat ishin si më poshtë:

Aktori dhe pedagogu, Alert Çeloaliaj: “Jam pa tekst” ne aktorët e përdorin shpesh. E përdorim kur aktori harron tekstin, ose kur nuk gjen dot fjalët që të shprehë atë që do. Për 27 vite me radhë qeverive shqiptare, të majta, të djathta, të qendrës edhe të cepit nuk i ka ngrënë malli fare për godinën e TK, për komunitetin e aktorëve edhe të regjisorëve. Por, papritur edhe pa kujtuar brenda 12 orësh, brenda 24 orësh, çështja e TK kthehet në emergjencën kombëtare të madhe, aq sa ligji për këtë godinë, për këto dy institucione TK dh TKES kalon në Parlament me një procedurë të përshpejtuar. Nuk kam fjalë, por faleminderit atyre që kanë ardhur të ndajnë këtë dhimbje me ne… Kolegët tanë, të gjithë kanë deklaruar, se ajo që ka ndodhur dje ka qenë vetëm një takim i parë, nuk ishte kurrfarë konsenusi, ndërkohë që shikoni, sesa shpejt rrjedhin gjërat dhe këtë takim të parë, që kolegët e quajtën ashtu. Dikush e përdor për qëllimet e veta, kjo është seksioni i përshkrimit të pasurisë, një pjesë e relacionit besoj të ligjit, ku thuhet se sipërfaqja totale e pasurisë, është 5522.7 metra, (e konfirmuar nga sipërfaqe trualli, sipërfaqe ndërtimi 1126 metra katrorë). Përse dyshojmë edhe përse kemi qenë këtu prej kohës? Nuk është bërë asnjëherë transparenca, ministria, dëgjesat me kryetarin e Bashkisë. Por, shihni çka ndodhur? 5522.7 metra, sipërfaqja e TK, numri i pasurisë parcela 1/241, numri I zonës kadastrale 81/50. Pronari: Shtet me sip.5522.7 m/katrorë. 2. Ndërtesë TKES, sipërfaqe 1127 m/katrorë. 3. Ndërtesa e TK, del tepër sipas relacionit, 2626.6 m/katrorë, që nuk janë bërë transparente në relacion dhe për këtë arsye ne dyshojmë që do të grabitet toka, ku qëndron TK dhe TKES”.

Aktorja Adriana Tolka: Të gjithë kemi të drejtën e informimit, por do të thoja që është e turpshme, nëse zgjedhim që të mos informohemi. Kam një thirrje… (Gent Zeneli merr mikrofonin dhe i drejtohet drejtorit të TKES: Kiço mos qaj se do të bëjmë teatër tjetër, do të bëjmë një më të mirë se ky, do ta bëjmë teatrin në rrugë. Mos qani ne bëjmë teatër në rrugë, s’na pengojnë dot)…, që një nga të drejtat kryesore është ajo e informimit edhe askush mos të heq dorë, sepse është e shenjtë. Për një arsye, se pari për shkak të indiferentizmit. U bëj thirrje njerëzve, që janë në kauzë të mendimit edhe të informimit që: Hiqni dorë nga indiferentizmi, nga mbyllja në skutën tuaj vetëm brenda mureve të shtëpisë suaj edhe bëhuni më të ndërgjegjshëm, nuk është fjala thjesht për shtëpinë e aktorëve, është fjala për territorin e Shqipërisë, për shtëpinë tonë të madhe, mos e jepni kaq lirë, por bashkohuni me ne.

Aktori Neritan Liçaj: Shoh koleget që po qajnë, duket si për shpirt dhe jo për Teatrin Kombëtar. Por, nuk është për shpirt jo. Ne i tronditëm, i bëmë minjtë që të lëvizin fshehtas. Të gjithë këta që s’kanë lë gjë pa i marrë këtij vendi, pasuri nëntokësore, pasuri tokësore edhe nënujore nuk kanë lënë gjë pa vjedhur, por duan që t’i vjedhin edhe nderin. Të gjithë ata që do ta votojnë atë ligj të turpshëm, që nga zëvendëskryeministrja, policët, fadroma, shkopinj gome, kaska edhe mburoja, le të vijnë këtu. Këtu na kanë! Mua këtu më kanë! Le të vijnë! Hajdeni, se do t’ja shihni flakën Teatrit Kombëtar. Hajdeni dhe ju qytetarë edhe kolegë, që na shini në TV. Çfarë do të shihni kur të prishet TK, shoun e dinamitit, që na jep kryeministri, si për ndërtesa pa leje. Kjo është me leje, dhe është me leje kombëtare. Hajdeni! Mos rrini nëpër shtëpi. Unë këtu kam njohur Kadri Roshin, Sandër Prosin, Robert Ndrenikën, Çim Xhepën, Land Trebickën. Më kanë rritur edhe më kanë edukuar për 25 vite këtu. Edhe unë këtë nuk e lë që të prishet, sikur nami që të bëhet! Hajdeni zotërinj të parasë edhe policisë. Ju kujtoj policëve, që mos të harrojnë se janë oficerë të Natos edhe kanë të drejtë që të mos zbatojnë urdhrin e shefit, kur shefi çmendet si në rastin tonë. Kur të shkojnë në shtëpitë e tyre në darkë, çfarë do t’u thonë fëmijëve, vajtëm kundër artistëve. Vajtëm kundër qytetarëve, kundër Teatrin Kombëtar, kundër flamurit tonë kombëtar. Hajdeni!

Aktorja Anila Bisha: Ajo që më tremb më shumë është arroganca. U bëj thirrje që të gjithëve, se kjo është gjëja më e rrezikshme. Edhe e them me bindjen time të plotë, që rreziku i kombit është Erion Veliaj. Kini kujdes nga ky person, është personi më I frikshëm që ka ardhur në politikën shqiptare. Unë jam nënë e dy fëmijëve. Vajza ime jo më larg se dje u diplomua, me diplomë ekselence në Vjen, por nuk kam guxim që t’i them vajzës sime: Kthehu! Kush është ajo nënë që nuk e do fëmijën pranë? Këta po na katandisin, që të jemi të lumtur, që kemi larguar fëmijët tanë. Nuk mundem dot t‘i them vajzës: Hajde! Nuk mund që të vijë të përballet me këtë politikë, me këtë ambient të ndyrë që jemi ne. Por, u them fëmijëve, që të jenë krenarë, se kam bërë të pamundurën! Këtu do të rri derisa të arrihet e drejta!

Pedagogia Taulanda Jupi: Para pesë ditësh, një mesazh që unë dërgova u bë publik: “Nëse nuk ju jepet fjala, bëni sherr. Nëse Neritanin nuk e lejojnë që të flasë bëni sherr”. Për ato që ndodhën sot (dje), unë kam kërkuar që të bëhet sherr. Gjithmonë jam formuar me një profil, që secili duhet të bëjë punën e vet që puna të shkojë mbarë, por jo, nuk shkuakan punët mbarë kur secili bëka punën e vet, duhet që të mblidhemi të gjithë këtu edhe mos të lejojmë ata që duan që ta shkatërrojnë këtë vend ku ne kemi vendosur që të rrisim fëmijët tanë. Këtu mbajti një fjalë një ish-studenti im, që ka zgjedhur të largohet nga Shqipëria. Sa të rinj po largohen nga Shqipëria? Përfshirë edhe djalin tim. U bëj thirrje të gjithë të rinjve, që mos të hanë lavazhin e trurit, por të dalin në këtë shesh edhe të mbrojnë të ardhmen e tyre. Kjo është thirrja e një nëne, një artisteje edhe një pedagogeje. U bëj thirrje çdo qytetari që ka dy fije mend në kokë, se Shqipëria nuk është ajo që duket në Instagram, por është ajo në Parlament, ku të gjithë ulin kokën edhe votojnë atë që s’duhet ta votojnë.

Aktivisti Andi Tepelena: Në gjithë këta muaj, si përfaqësues i skenës së pavarur, duhet të them se kemi ndarë të gjitha problematikat në këtë fushë. Kam ikur nga ky vend në fillim të viteve ’90 nga ky vend. Jam kthyer pas 17 vitesh, dua që t’ju them, se unë nuk e braktis më këtë vend, por do luftoj këtu deri në fund. Ligji nuk ka kaluar akoma, por i bëj thirrje Ilir Metës, presidentit të vendit, se nëse ai ligj kalon ai do të jetë bashkëfajtorë në këtë krim që po i bëhet TK edhe kulturës kombëtare. I bëj thirrje, që ta kthej mbrapsht këtë turp që po bëhet. Kam besim tek ju, tek qytetarët edhe ata që po pinë kafe. Edhe ata që u bënë pjesë e këtij turpi, kam besim që do të reflektojnë edhe do të vijnë këtu që të bashkohen me ne. U bëj thirrje edhe institucioneve ndërkombëtare, që kanë bërë gjoja sikur kanë bërë reformë për drejtësi, prokurorisë, dhe shkatërruesve të trashëgimisë kulturore, që të mendohem mirë. Këta deformues të demokracisë, këta vjedhës të pronës publike, se nuk do të kalojë lehtë kjo gjë. Turpin nuk do ta kalojnë me bukë, jam i bindur që do të ketë një revolt që nuk do ta kenë parë as në ëndërr. /Shekulli/