Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrur një tubim, si shenjë proteste kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Shqipëri. Protesta mbështetët edhe nga opozita, e cila është angazhuar për të patur sa më shumë pjesëmarrës.
Qytetarët janë grumbulluar pranë zonës ku deri dje ishte Teatri Kombëtar, ku mediet në Shqipëri raportojnë se protesta do të monitorohet nga rreth 1000 efektivë policie.
Nga bulevardi Dëshmorët e kombit, regjisori Robert Budina në fillim të protestës për shembjen e Teatrit u shpreh se mëngjesin e shembjes së Teatrit kombëtar, policia kishte sulmuar artistët dhe qytetarët. Budina shtoi se shembja e Teatrit ka nisur kur ka pasur njerëz dhe polici brenda, duke rrezikuar jetën e tyre.
Gjatë protestës e cila tashmë ka nisur, pati edhe një konfrontim, pasi aktivistët e organizatës politike kundërshtuan prezencën e politikanëve në protestë, raporon Ora Neës.
Ndërsa, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se është gati të bashkëpunoj më Aleancën e Mbrojtjes së Teatrit, dhe ka kaërkuar një hetim ndërkombëtar për shembjen.
“Mbështes fuqimisht një hetim ndërkombëtar për shkatërrimin antikushtetues, të paligjshëm dhe në mënyrën më antieuropiane të Teatrit Kombëtar. Gati të bashkëpunoj me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe me çdo institucion europian dhe ndërkombëtar për Kulturën. Europa dhe bota demokratike po e kupton edhe me qartë se ç’po ndodh këtu. Mos iu përgjigjni dhunës me dhunë, por me besim te Demokracia dhe Triumfi i saj mbi talebanizmin dhe oligarkinë.”, shprehet Meta.
Meta zhvilloi një takim më 4 ambasadorë të akredituar në Shqipëri pak minuta para protestës. Mësohet se takimi është mbajtur te Pallati i Brigadave. Ky takim vjen vetëm pak minuta përpara protestat që është lajmëruar pranë Teatrit kombëtar, tashmë të shembur nga bashkia e Tiranës.
Në mbështetje të protestës së Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit ka dalë edhe opozita. Ish-deputeti i PD, Enkeljed Alibeaj në një intervistë për Ora Neës tha se kjo është një protestë ku do të bashkojë të gjithë shqiptarët e lirë. Sipas tij, Rama ka frikë nga ky bashkim, ndaj ka rrethuar edhe kryeministrin me efektivë policie. /Ora News/