Site icon Telegrafi

Artisiti Alkent Pozhegu me ekspozitë personale në Galerinë e Arteve në Gjakovë

Artisiti i rekordeve Guiness, Alkent Pozhegu, i cili është i njohur për punimet e tija të shumta, gjatë mbrëmjes së djeshme ka hapur ekspozitën e tij personale, ku janë te ekspozuara 31 vepra arti – mozaikë.

Përmes një ekspozite të tillë të gjithë artdashësit kanë mundësi që për aq kohë sa kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur, të shkojnë dhe t’i shohin punimet e veçanta të arstisit Pozhegu, punime të cilat janë punuar në periudha të ndryshme kohore, dhe që kanë simbolika mjaft të veçanta, duke qenë të lidhura ngusht me traditën dhe kulturën.

Pozhegu potencoi që ka realizuar 31 punime, ku të gjitha janë të realizuara me drithëra ku në mesin e këtyre punimeve është e ekspozuar edhe një skulpturë, tri certifikata të Librit të Rekordeve “Guiness”, si dhe artikujt të realizur nga media të ndryshme ndërkombëtare rreth punës së tij.

Ai po ashtu tha që në qytetin e Gjakovës ka talentë të shumtë, dhe shpreson që këta talentë të vazhdojnë të punojnë, dhe kështu do të arrijnë që të kenë sukses.

E pranishme në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjakovës, Adea Roka, e cila u shpreh e nderuar që së bashku me Galerinë e Arteve, kanë arritur ta organizojnë këtë ekspozitë, duke i uruar artistit Alkent Pozhegu suksese në të ardhmen.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një javë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version