Site icon Telegrafi

Arti i ngjërimit të verës

Kur vera shijohet dhe perceptohet me vetëdije në një mënyrë të përqendruar, quhet ngjërim/degustim. Qëllimi është të merret një vlerësim objektiv i cilësisë së verës. Mënyra më e lehtë për ta bërë këtë, përdoren kriteret të shënuara si në vijim

Rexhep Kryeziu
Ekspert i vreshtarisë dhe verarisë, Zvicër

Për ngjërimin profesional dëshirohet lokal me dritë të mirë, ajër i pastër dhe qetësi.

Provimi i verës përfshin gjithashtu vlerësimin e ngjyrës dhe qartësisë së një vere. Këto mund të thonë shumë për potencialin e zhvillimit. Drita artificiale – veçanërisht drita e neonit – shtrembëron tonin dhe intensitetin e ngjyrës. Dëshirohet dritë natyrale. Buqeta thotë të paktën po aq për cilësinë e verës sa edhe për shijen. Ajri i mirë është i rëndësishëm. Një shije serioze e verës në tym duhani, parfum dhe aroma të tjera është e pamundur.

Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e një ngjërimi vere, imagjinata juaj nuk ka kufizime: ndoshta ju vendosni për verëra të së njëjtës prejardhje në kategori të ndryshme çmimesh, njiheni me verërat e një kultivari ose nga vjeljet e ndryshme rrushi të së njëjtës verë.

Edukatori i madh francez i verërave, profesor Emile Peynaud nga Bordeaux shkruan: “Arti i Ngjërimit/Degustimit është baza e artit të të pirit“. Ngjërimi apo/ose shijimi i një vere, na mëson kontrollin dhe përdorimin korrekt të shqisave tona. Verërat e mira i edukojnë njerëzit në maturi. Alkoolizmi është pasojë e natyrshme e pirjes të njerëzve të paditur e të pa kontroll. Detyra edukative dhe filozofike e verës nuk mund të përmblidhej më mirë, më saktë dhe shkurt. Kushdo që bëhet dashnor i verës stërvit dhe mpreh shqisat e nuhatjes dhe shijes, të cilat ne i kemi lënë pas dore tani në qytetërimin e përparuar. Njerëzit kishin shqisën më të zhvilluar të nuhatjes në kohët e lashta, sepse para se të hanin ose pinin e nuhasnin atë dhe për këtë arsye ishin të trajnuar për të nuhatur.

Ngjyra

Nuanca dhe intensiteti i ngjyrës zbulojnë shumë për përmbajtjen e verës në gotë për syrin. Pastaj hunda: Asnjë ushqim, asnjë parfum, asnjë pije tjetër nuk ka një gamë me erëmime kaq të larmishme, delikate erërash si vera. Shqisa e shijes në fund të fundit bën dallimin midis katër ose pesë shijeve bazë: të thartë, të ëmbël, të kripur, të hidhur dhe regjëse/astringent.

Në kujtesë, këto përshtypje erëmimesh krahasohen me përvojat e mëparshme, me verërat e pira më parë. Kjo nga ana tjetër promovon në fund ndjenjën e sintezës, domethënë artin e sjelljes së përshtypjeve nga më të ndryshmet në një emërues të përbashkët, i cili vlerësohej aq shumë nga grekët e lashtë.

Ndoshta ju keni parë ndonjëherë një shijues profesionit gjatë punës në vreshta dhe keni admiruar sesi ai mund të merrte me mjeshtëri një kalavesh/vile te një kultivari të rrushit, origjinën, vjeljen dhe ndoshta edhe prodhuesin e një vere pa shikuar fare shishen. Ky është arti i bukur i shijuesit. Është po aq e zakonshme sa adhuruesit e muzikës që mund të identifikojnë epokën, formën, çelësin dhe kompozitorin e një pjese muzikore. Por ne, tani për tani, duam ta shijojmë si një shfletues të vëmendshëm. Kjo është sikur kur lexojmë titullin e një libri, pastaj parathënien, dalëngadalë marrim një ndjesi për komplet librin dhe personazhet kryesore, lexojmë kapitull për kapitull dhe përfundojmë në fund, jo pa e rishikuar përsëri të gjithë librin që kemi lexuar.

Në lidhje me verën, kjo do të thotë: Të admirosh mantelin (ngjyrën) e verës na jep përshtypjet e para për cilësinë, llojin dhe vjetërsinë e verës në gotë. Buqeta e saj na prezantohet me veçantinë dhe personalitetin e saj. Në gojë ne perceptojmë ndërtimin dhe formën e saj. Pasi e kemi gëlltitur, dëgjojmë përfundimin ose finalen, përshtypjet e fundit dhe përmbledhim hapat individualë në një përfundim vlerësues.

1. Ngjërimi i verës fillon me pamjen vizuale të verës në gotë

Hidhni vetes verë në një gotë deri në një të tretën e plotë. Deri sa hedh verë, shikoni rrjedhën e verës nga shishja. A ju duket e trashë dhe e yndyrshme apo e gjallë dhe e lëngshme? Mbajeni gotën përpara një burimi të mirë drite, mundësisht dritës së ditës. Vini re qartësinë e verës, praninë e grimcave të pezulluara, flluskave, sedimentit, karbonizimit. Më pas përcaktoni llojin, densitetin/dendësinë dhe intensitetin e ngjyrës. Për ta bërë këtë, anoni gotën dhe mbajeni para një sfondi të bardhë.

Pamja e një vere është një tregues i rëndësishëm i cilësisë

Verërat me pamje të shurdhër dhe të turbullt kanë shije jo të mire dhe bajate. Në parim, vetëm verërat e pjekura ose ato që mbushin në shishe të pafiltruara mund të kenë një mbetje, një sediment.

Vera e gazuar ose shampanja kanë shumë dioksid karboni. Kjo reflektohet në një flluskë të vazhdueshme perlash në gotë. Verërat e reja të bardha, nga ana tjetër, shkëlqejnë vetëm shkurt dhe delikate. Ngjyra e një vere të kuqe të madhe dhe të pjekur shkëlqen gjithmonë gjallërisht, kurse një vere e bardhë e pjekur shkëlqen në ngjyrë të artë.

Erëmimet/Aroma

Kompleksiteti erëmirues/aromatik i një vere kontribuon shumë në kënaqësinë e pirjes së saj. Shumë adhurues të verës “pinë” kryesisht me hundë. Verërat e shkëlqyera kanë erëmime/aroma jashtëzakonisht të ndryshme që nuk janë gjithmonë të lehta për t’u kuptuar. Por ajo që ka të bëjë si gjahtari me një egërsirë gjahu të egër që i afrohet tinëz, ose atë që peshkatari duhet të luftojë për orë të tëra me një peshk të egër, është ajo që duhet të merret me buqetën e verës mbledhësi i erëmimëve/aromave nga dashamirësi i verës.

Erëmimet/aromat sipërfaqësore, lehtësisht të kuptueshme apo edhe ndërhyrëse që e magjepsin, por nuancat e erëmimëve delikate, mezi të perceptueshme, ato janë më interesante për të dashuruarin e verës.

Kur kuptojmë buqetën, le të mos kufizohemi në renditjen e përbërësve emërimeve individualë të një vere. Le të gjykojmë edhe intensitetin, pastërtinë dhe cilësinë e emërimeve/aromave. Ata jo vetëm që na kënaqin me morinë dhe shumëllojshmërinë e tyre, por gjithashtu na japin informacion të vlefshëm se çfarë presim të shijojmë në gojën tonë.

Ato tregojnë origjinën, kultivarin/varietetin e rrushit dhe vjetërsinë e një vere si dhe mënyrën e prodhimit të saj.

Natyra është një mësuese e mirë: Kushdo që praktikon njohjen e aromave të luleve, barishteve dhe erëzave me sy të mbyllur, së shpejti do të jetë në gjendje të tregojë se cili punonjës sapo ka ardhur në zyrë vetëm nga nuhatja e një parfumi dhe ky do të jetë në rrugë të mbarë për t’u bërë një shijues profesionit i madh. Kushdo që ka shqisa të nuhatjes të mirë, mundet të bëhet një ngjërues i mirë.

2. Si të vazhdoni me erëmimet e verës

Merrni gotën në dorë. Mbajeni për rrjedhe ose këmbë, asnjëherë nga kupa sepse do ta ngrohni verën shpejt.

Sillni ashtu me verën e qetë në hundë. Shënoni erëmimin e parë. Kur vera është e qetë, nëse kundërmon pak sa erë uthulle, nuk është e mirë. Nëse nuk ka erë, tani është në rregull. Më pas tunde gotën me verën të rrotullohet në gotë. Për ta bërë këtë, vendoseni përsëri në tavolinë ose mbajeni gishtin tregues të dorës suaj të lirë nën fundin e rrjedhës së gotës për të parandaluar derdhjen e ndonjë prej lëngut të çmuar. Tani nuhatni dhe shënoni sërish aromat.

Vera është një shesh lojërash për adhuruesit e erëmimëve/aromave. Disa qindra substanca kontribuojnë në buqetën e një vere të mrekullueshme. Për të përshkruar erëmimet, ne përdorim analogji nga rrethina jonë, erëmime/aroma frutash, lulesh, erëzash e tj.

Shija

Ne e “ndjejmë” verën jo vetëm nga hunda, por edhe nga qiellza shijuese e gojës. E ashtuquajtura “erë e pasme” përbëhet nga substancat me erë që avullojnë në fyt pas gëlltitjes së verës dhe, si të thuash, arrijnë në hundë përmes rrugëve sekrete të brendshme. Fillestarët shpesh i perceptojnë aromat më fort në këtë mënyrë sesa përmes hundës dhe për këtë arsye priren të ngatërrojnë përshtypjet aromatike dhe shijet. Një stërvitje e vogël e hundës mund të ndihmojë shumë.

Shija e verës të mashtron pesë herë

Përveç qiellzës shijuese të gojës, shqisa e nuhatjes është mjeti më i rëndësishëm për të shijuar verën. Vera zakonisht testohet me hundë pesë herë: para se të pihet, fillimisht në gotën e pa rrotulluar, pastaj në gotën e rrotulluar. Kur vera godet gjuhën e ngrohtë, ajo lëshon aroma shtesë që arrijnë në mukozën e nuhatjes. Pas gëlltitjes ose nxjerrjes së frymës, kjo përvojë përsëritet: ndërsa nxirrni frymën, ajri rrotullohet përsëri nëpër perden e hundës, duke stimuluar shqisat e nuhatjes për herë të katërt. Testi i fundit vijon në gotën e zbrazët: Kur e nuhatni, mbresat e aromave tashmë të njohura dhe të reja shpesh vijnë në vete. Erëmimi që zgjat nga gota e zbrazur, verëdashësit e quajnë ‘shpirti i verës’.

3. Shijimi i verës

Pini një gllënjkë të shkurtër por të fortë, aq sa mund ta mbani lehtësisht në gojë. Vini re afrimin, domethënë momentin kur vera i kalon buzët. A është kjo qasje apo hapje e fortë, kompakte, e drejtpërdrejtë, e rezervuar, e pasigurt?

Pastaj rrotulloje verën në gojë dhe ndjejeni me gjuhë. Thithni pak ajër në gojë dhe pini në heshtje për të “ajrosur” pak verën dhe për të lëshuar aroma të mëtejshme. Në këtë mënyrë, eksploroni “trupin”, plotësinë dhe intensitetin e verës.

Lexo po ashtu Kultura e verës e panjohur për ne shqiptarët sot

Së fundi, gëlltitni (ose pështyni me kujdes dhe kontroll). Numëroni mendërisht kohën gjatë së cilës përshtypjet aromatike shfaqen ende në qelizat shijuese të gojës. Gjatësia është pothuajse treguesi më i rëndësishëm i cilësisë së një vere. Ky përfundim, kjo finale, vështirë se zgjat më shumë se tre ose katër sekonda nga një verë e përditshme tavoline. Një verë e shkëlqyer, e maturuar, nga ana tjetër, fjalë për fjalë kumbon në shije për minuta, nga 15 e deri 25 minuta qëndron në ndjenjën tonë shija e saj.

(Ngjërim në shqip është termi i përgjithshëm ndërkombëtar “Degustim”)

/Telegrafi/

Exit mobile version