Site icon Telegrafi

Arti mahnitës i dinastisë së degjeneruar (Foto)

Përralla mijëvjeçare e Iranit, në përgjithësi është një trishtim. E rrënuar nga pushtuesit të cilët kërcënuan për të marrë trashëgiminë e pasur dhe të lashtë kulturore, e rrafshuar nga kryekomandantë të etur për gjak, e tradhtuar përherë nga fëmijët e saj dhe shpesh edhe viktimë e dredhive të huaja, “toka e fisnikëve” ka qenë shpeshherë një ferr… Shekulli XIX ishte një nga periudhat më të errëta në historinë e kohëve të fundit të Iranit. E sunduar nga autokratët për lëmoshë të të huajve, e pllakosur nga varfëria, sëmundjet, injoranca dhe prapambetja… Irani nuk vend i duhur për ta parë. Megjithatë, artistët e oborrit të dinastisë Qajar (Kaxhar) ishin rrëfim në vete, transmeton Telegrafi.

Për dallim nga historia e errët, arti ishte origjinal…

Gjatë epokës së artë të shahëve Safavid, në shekullin e XVII-të, kryeqyteti i tyre Isfahan ishte zilia e të gjithë atyre që e vizituan. Vendi i një rilindjeje dhe udhëkryqeve të mëdhenj kulturorë, ishte frymëzim për artistët anembanë botës. Nga qytetarët e tij ende njihet si “gjysma e botës”. Por, gjërat morën tatëpjetën pas vdekjes së Shah Abbasit të Madh. Deri kur monarku i fundit Safavid, Abbasi i III-të u ngjit në fron, Dielli kishte perënduar sërish nga Irani.

Nëse Safavidët kishin sjellë një epokë të kulturës dhe shkëmbimeve, ndërsa Afsharidët dhe Zandët të imperializmit dhe të paqes, ajo e Kaxharëve ishte e poshtërimit dhe shthurjes. Shekulli i XVIII-të dhe XIX-të e pa Iranin të zhveshur nga gjithë shkëlqimi i mëparshëm.

Nasir al-Din (Nasseredin), monarku më i njohur Kaxhar

Në kërkim të pushtetit në Iranin e rëndësishëm strategjik, si dhe te vendet tjera në Azinë Qendrore, rusët dhe britanikët vazhdimisht shkelën sovranitetin e Iranit. Me Iranin të sunduar nga monarkët e pakujdesshëm dhe të dobët, puna ishte e lehtë për komplotistët e huaj. Në fakt, në disa raste ata madje nuk kishin nevojë as gishtin ta lëviznin. Për të financuar stilin e shtrenjtë të tij të jetesës, Nassereddin Shah – ndoshta monarku më i njohur i Kaxharëve – i dha kontroll një baroni të vetëm britanik mbi rrugët, telegrafin, hekurudhat, mullinjtë, fabrikat dhe shumicën e burimeve natyrore të Iranit; e një tjetër kishte monopolin mbi industrinë e duhanit.

Disa këtë art e quajtën kiç…

Irani ishte në gjendje të mjerueshme. Udhëtarët shkruan për mungesën e infrastrukturës së duhur, kushtet e tmerrshme të jetesës, shthurjen ekstreme (orgjitë e dehura) dhe korrupsionin.

Megjithatë, historia në oborret perandorakë ishte çështje tjetër. Me zgjerimin e formave të reja estetike në pikturë – që janë hasur në epokën Afsharide, Zande dhe më vonë Safavide – shpërtheu korniza e miniaturave dydimensionale persiane nga artistët e Kaxharit që krijuan një fjalor të tyre unik viziv. Piktorët e oborrit të Kaxharëve ishin të prirë për vetulla të trasha e të bashkuara, sy të errët në formë bajamesh me shikim flirtues, buzët të vogla si gonxhe trëndafili, dhe flokë të gjata me dredha…

Vetullat e ngjitura dhe shikimi epshor…

Nassereddin Shahu ishte i obsesionuar me të gjitha gjërat evropiane dhe ishte i prirë për të futur trajta “moderne” në vendin e tij. Kështu, ai ka luajtur me fotografi në kohën e tij të lirë; Antoin Sevruguin kapi jetët e të pasurve, të varfërve dhe të mjerëve në celuloid; ndërsa piktorët si Kamal ol-Molk, kombinuan me mjeshtri imazhet evropiane dhe iraniane. Për dallim nga revistat franceze dhe britanike të asaj kohe, të cilat shpesh portretizuan shahët si pakurrizorë të degjeneruar, ndërsa Iranin si mace persiane e bërë si lodër për luanin britanik dhe ariun rus, pikturat e oborrit dhe fotografitë përshkruan një tokë mahnitëse të ngjyrave e të pasionit.

Ornament i një kohe të ligë…

“Arti i epokës Kaxhar ka qenë prej kohësh i admiruar nga artistët dhe studiuesit”, thotë Christian Lacroix. “Hijeshia e saj e impresionoi [fotografen e modës] Louise Dahl-Wolfe… Ajo u frymëzua nga portretet e Kaxharit”.

Megjithatë, ky art është keqkuptuar dhe neglizhuar nga shumica.

Pikturë e kohës së dinastisë Kaxhar…

“Në Francë, arti Kaxhar nënvlerësohej”, thotë Gwenaëlle Fellinger. “Njerëzit e shihnin si kiç. Problemi është se ky art ishte krejtësisht i panjohur dhe objektet që shiheshin në ankande nuk ishin të cilësisë më të mirë”!

Kështu, mbi 400 vepra arti nga muzetë dhe koleksionet private janë mbledhur në Luvër për ekspozitën “Perandoria e trëndafilave”. Ekspozita shkon përtej pikturave, duke përfshirë tepihët, tekstilin, qeramikën dhe punët e metalit. Ekspozita nuk kufizohet në interpretimin e ngushtë të artit iranian, por shkon përtej dinastisë si një hyrje në pasurinë dhe bollëkun e kulturës dhe artit iranian në tërësi, dhe si katalizator për dialogun ndërkulturor.

Punim metali i dekoruar me ar…

Përkundër dekadave të errësirës, qiejt e monarkëve Kaxhar sollën në Iran shkëlqimin e artit dhe kulturës iraniane. Dhe tash, shekuj më vonë, kryeveprat e artistëve të asaj epoke po përdoren për të nxitur mirëkuptimin dhe vlerësimin e një qytetërimi të lashtë dhe të keqkuptuar.

“Arti është gjithmonë lidhja më e mirë”, thotë Lacroix. /Telegrafi/

Exit mobile version