Site icon Telegrafi

Arti i mbijetesës

Në filmin “The Pianist” imponon thjeshtësia si qasje regjisoriale e Polanskit. Shpeshherë të krijohet përshtypja që kemi të bëjmë me një film dokumentar që kamera, prej kohës sonë, shkon atje në vitet 1939-1945, përcjell jetën e pianistin Wladislaw Szpilman dhe kthehet te ne, për të na i dhënë këto imazhe mbresëlënëse

Shkrim nga Blerim Shala, i publikuar më 2002 në Javoren Politike Shqiptare – Zëri

“Muzika ishte pasioni i tij, mbijetesa ishte kryevepra e tij”!

Me këtë porosi të shkurtër, të zakonshme për Hollivudin ku thjeshtësimi i mesazhit të një filmi bëhet me qëllim të një shtrirje sa më të gjerë te shikuesit eventualë, është reklamuar filmi “The Pianist” i regjisorit Roman Polanski.

TË GJITHA FAZAT E NJË FERRI

Bazuar në shpërblimet e shumta që mori në vitin 2002 (“Palma e Artë” në Festivalin e Kanës, më prestigjozin në Evropë, “Cezari” francez dhe “Bafta” angleze që janë ekuivalentë të “Oscarit”, e edhe “Oscari” për Adrien Brodyn, kryeprotagonistin e këtij filmi), “The Pianist” meriton të cilësohet si vepra më e arrirë në skenën filmike më 2002, megjithëse “Oscari” për filmin më të mirë i shkoi “Chicagos”, një filmi mjuzikël.

Filmi “The Pianist” është rikrijim filmik i kujtimeve të Wladyslaw Szpilmanit, të shkruara menjëherë pas luftës, me titullin “Vdekja e qytetit”. Ky libër, tok me Ditarin e Ana Frankut dhe librin e Primo Levit (të mbijetuarit të Aushvici), llogariten si tre librat më domethënës dhe më me ndikim të shkruar prej vetë hebrenjve që ishin viktima të nazizmit.

Wladyslaw Szpilman ishte një nga pianistët më të njohur të kohës, i cili në vitet 1939-1945, u detyrua të luftojë për mbijetesë në Varshavë, sepse ishte hebre: Njeri pa kurrfarë të drejtash.

Szpilman do të ketë jetë të gjatë dhe do të vdesë në vitin 2000, apo në moshën 89-vjeçare.

Oscar Wilde do të thoshte në këtë rast: Një shekull i ri dhe mijëvjeçar i ri do të ishte shumë për Szpilmanin i cili jetoi gjashtë vjet në ferrin e vërtetë nazist dhe pastaj, 45 vjet të tjera në regjimin komunist i cili gjithashtu ishte variacion i ferrit.

Filmi “The Pianist” pra bazohet në një kallëzim të vërtetë. Si kujtimet e Szpilmanit, ashtu edhe filmi nis ditën kur Varshava, kryeqyteti i Polonisë, sulmohet prej Gjermanisë, në shtator të vitit 1939. Szpilmanin sulmi e gjen në studiot e radios së Varshavës, ku ky ekzekuton një vepër të Shopenit, kompozitorit të madh polak. Që në pamjen e parë, shikuesi kupton që Szpilman është një njeri i dhënë aq shumë pas muzike dhe pas pianos, saqë bombardimet e Varshavës nuk i bëjnë fare përshtypje. Ekzekutimin në piano ky do ta ndërprejë, vetëm pasi që studioja goditet me një predhë.

Shikuesi pastaj përcjell jetën e familjes së Szpilmanit, e cila shqetësohet pak me ardhjen e nazistëve, preokupohet pak më shumë me fshehjen e parave të fundit që u kishin mbetur, gëzohet tej mase kur në BBC dëgjon që Britania e Madhe dhe Franca i kanë shpallur luftë Gjermanisë pikërisht për shkak të sulmit ndaj Polonisë dhe habitet jashtëzakonisht shumë kur merr vesh që hebrenjtë e Varshavës (flitet për qindra mijëra veta), duhet të kenë në krahun e tyre një shirit me yllin e Davidit.

Pastaj, ata (szpilmanët) e gjejnë veten në geton e Varshavës, tok me të gjithë bashkëkombësit e tyre. Në geto nuk ka ligje, nuk ka vlera, nuk ka njerëzi dhe gjithçka matet me kutin e të mbeturit gjallë. Szpilmani, për të mbajtur familjen, do të bëhet pianist në një xhaz-klub në geto, i cili mbahet prej hebrenjve që janë “mbajtës të rendit dhe qetësisë” në emër të nazistëve. E keqja që kishte goditur hebrenjtë në vitin 1939, nis të marrë përmasa të shfarosjes së tyre kur ata dërgohen në kampet e përqendrimit. Dihet se kampet më të mëdhaja kanë qenë në Poloni, aty ku duhej të kryhej “zgjidhja përfundimtare” e çështjes çifute.

Pianisti Szpilman shpëton falë intervenimit të hebrenjve – bashkëpunëtorë të nazistëve. Pastaj, rreshtohen fazat e rënda të jetës së tij në geto dhe jashtë getos, në Varshavën e okupuar. Ai, gati gjithnjë, është i vetmuar, me pak bukë, shumë vullnet për muzikë dhe gjithnjë pranë humnerës (vdekjes).

PËRJETIMET E VETË POLANSKIT

Fati e braktis në ditët e fundit të luftës, teksa pritej hyrja e Armatës së Kuqe në Varshavë. Ai zbulohet prej një kapiteni gjerman, i cili kupton që ky fshihej në tavanin e banesës së tij. Por, fatkeqësia këtu shndërrohet në kthesë të madhe për të sepse del që kapiteni gjerman ka mirëkuptim për një pianist hebre i cili ekzekuton mrekullueshëm Shopenin. Oficeri gjerman, të cilit i pëlqen edhe mbiemri i Szpilmanit (Lojtar, në përkthim nga gjermanishtja) e mban me ushqim dhe siguron që ky të pres i gjallë shkuarjen e tyre, të gjermanëve dhe ardhjen e rusëve.

Kapiteni gjerman do të vdesë në llogoret për robër lufte, diku në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1952. Szpilman kishte bërë çmos për ta shpëtuar shpëtimtarin e tij, por nuk kishte arritur të gjejë ku është ai. Szpilman pastaj do të vazhdojë karrierën e tij të pianistit dhe to të vizitojë të gjitha kontinentet (pos Australisë), tok me orkestrën e Varshavës.

Kjo është pra përmbajtja e shkurtër e këtij filmi të madh të Roman Polanskit.

Polanski gati i kishte mbushur të 70-tat kur vendosi të xhirojë këtë film, i cili e kthente atë në vitet e fëmijërisë, kur ky vetë banonte në një geto të Krakovit. E ëma e tij do të vdes në Aushvic, ndërsa i ati do ta mbijetojë kampin e përqendrimit. Polanski i vogël do të shpëtojë duke u fshehur në familjet katolike polake të Krakovit.

Pas luftës, Polanski do të studiojë regjinë në Shkollën Filmike të Loxhit. Pas sukseseve të para si regjisor, do të shkojë në Angli dhe pastaj në Amerikë. Atje, regjisori i cili më së shumti krahasohej me Hitchcockun (nëse e keni parë filmin “Frantic” të Polanskit me Harrison Fordin në rolin kryesor, të xhiruar në vitin 1988 do të kuptoni që me meritë të plotë Polanski krahasohet me Hitchcockun, mjeshtrin e madh anglez), do të ketë ngritjet e rëniet e tij në karrierë dhe në jetë, kur do të akuzohet për dhunimin e një vajzeje 13-vjeçare. Do të ikë nga Amerika për t’u vendosur në Francë, në Paris, aty ku edhe kishte lindur.

Njohësit e filmit pohojnë që “The Pianist” është momenti kulmor i biografisë artistike të Polanskit. Duket se ky, ashtu si Jorge Sempruni, shkrimtari i njohur spanjoll, nuk ka pasur guxim që në rininë e tij, apo edhe në moshën e pjekur, por tek në pleqëri t’u kthehet kujtimeve të dhimbjes së madhe, të jetës në geto.

GETOJA, VENDLINDJA E NJË SHTETI

Polanski nuk ka synuar të bëjë një film plot skena spektakulare, çfarë është “Schindler’s List” i Spielbergut, i cili qëmoti është klasifikuar si filmi më i suksesshëm që i kushtohet holokaustit. Polanski dëfton, përmes biografisë së Szpilmanit, se si zhdukja e hebrenjve, poshtërimi i tyre, është bërë me plan, pa një nguti dhe deri vonë, pa rezistencë të hebrenjve.

Elie Wiessel, nobelisti hebre, i cili aq shumë bëri për çlirimin e Kosovës duke thirr administratën e presidentit Clinton të ndërmarrë të gjitha masat e mundshme për shpëtimin e shqiptarëve, në librin e tij “Nata” do të pohojë se iluzioni e jo nazistët e kontrollonin geton. Iluzioni që rrëfimet për vrasjet e hebrenjve në kampe të përqendrimit janë rrena të kulluara, iluzioni që e tëra është kalimtare, që së shpejti do të çlirohen etj. Por, mbase iluzioni ishte reagimi më i logjikshëm ndaj gjithë asaj katrahure që kishte goditur hebrenjtë e Varshavës. Tmerri që po e jetonin ata s’bazohej dot në asnjë logjikë, prandaj shumica dërrmuese prej tyre mendonin se kjo do të kalojë ashtu si një makth nate dhe se agimi do t’i qartësojë të gjitha. Tek njëri prej banorëve të getos së Varshavës do t’i thotë Szpilmanit: “Këta po na shfarosin dhe do të na shfarosin…”. Duket që pikërisht në geton e Varshavës, në kryengritjen e vitit 1943, e cila ishte vetëvrasëse kur dihej disproporcioni i forcës midis hebrenjëve dhe nazistëve, do të nisë krijimi i shtetit të Izraelit.

Szpilman nuk është një hero, një luftëtar, një shpirt kryengritësi. Ai mbetet pa familje, pa piano, pa muzikë, pa ushqim, pa qytetin e tij. Ai nuk lufton për shpëtimin e tij. Dhe, shpëtimi e ndjek gjithë kohës, për ta çuar, më në fund, në ditën kur ky pret ushtrinë ruse në qytetin i cili ishte bërë gërmadhë. Një grumbull eshtrash, i parruar, gati fantazmë, me një pallto të oficerëve gjermanë (kapiteni gjerman ia kishte dhuruar në ndarje këtë pallto), e cila gati që i kushton me jetë, sepse rusët mendojnë që ky është një oficer gjerman. I tillë është ky në ditën kur Varshava çlirohet.

Adrien Brody në rolin e Szpilmanit është shumë i suksesshëm dhe ai asnjëherë nuk bën një gjest shtesë, një veprim të tepruar, i cili do të dëmtonte rolin e Szpilmanit, një njeriu të cilin historia e bluante përditë në ato vitet e rënda të tmerrit në Varshavë. Të veçanta janë skenat kur Szpilmani parafytyron pianon dhe ekzekutimin në të. Melodinë e përcjell imagjinata e tij dhe ajo del para neve, shikuesve të filmit.

Në përgjithësi, në filmin “The Pianist”, imponon thjeshtësia si qasje regjisoriale e Polanskit. Shpeshherë të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një film dokumentar që kamera, prej kohës sonë, shkon atje në vitet 1939-1945, përcjellë jetën e Szpilmanit dhe kthehet te ne, për të na i dhënë këto imazhe mbresëlënëse.

Thjeshtësia është mjeshtri e regjisorëve të mëdhenj, çfarë ishte Kieslowski dhe çfarë është Polanski në këtë film. /Telegrafi/

Exit mobile version