Telegrafi

Arti dhe teknologjia digjitale

Në Londër për herë të parë u mbajt një panair ku veprat artistike mund të shikoheshin në mënyrë digjitale. Kritikët e artit kanë mbetur të mahnitur me këtë mënyrë të prezantimit, pasi që një gjë e tillë nuk është parë më herët.

Studioja e artit “Acute Art” është bashkuar me artistin koreano-jugor, Koo Jeong A, për të prezantuar një vepër artistike në realitetin e shtuar.

Realiteti i shtuar, siç njihet, përzien përmbajtjen digjitale me botën reale rreth jush duke përdorur kamerën e telefonit të mençur ose kufjet speciale. Teknologjia bëri bujë gjatë çmendurisë “Pokémon Go” para disa vitesh.

“Density” duket si një copë akulli që pikon, e varur në mes të ajrit. Për ta parë atë, vizitorët duhet të shkarkojnë një aplikacion të realitetit të shtuar në celularin e tyre dhe pastaj fillojnë të kërkojnë veprat artistike.

“Është hera e parë që veprat në realitetin e shtuar hyjnë në panair të artit. Dhe është hera e parë që hyn në vendet më konvencionale, një park mbretëror me skulptura”, tha Daniel Birnbaum, drejtor i Acute Art.

Veprat e Koo Jeong A janë shpesh kalimtare, që fokusohen në dukje gjëra të përditshme, që shpesh ndalen në të padukshmen. Tri edicione të veprave janë vënë rreth “Regents Park”. Birnbaum tha se vepra artistike është po aq e lehtë për mjedisin sa edhe për syrin.

“Mendoj se hap mundësi të mëdha për artin, madje edhe për koleksione dhe ekspozime dhe është interesant se dikush mund të bëjë gjëra shumë ambicioze në realitetin e shtuar dhe ato do të duken shumë bindëse. Dhe, nuk lirojnë dyoksid karboni, nuk kanë shpenzime për dërgesa, nuk kanë vlerë sigurimi. Në epokën tonë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme“, theksoi ai. /21Media/