Meeting of Styles (MOS) është një rrjet ndërkombëtar i artistëve të pasionuar për grafiti dhe murale, të cilët për të dytën herë do të jenë në Prishtinë.
Vitin e kaluar festivali kishte qenë një prej eventeve më interesante dhe kreative, me ç’rast artistët kishin zbukuruar një rrugë të kryqytetit.
I konsideruar si festivali më i madh në Ballkan për art në hapësira publike, MOS këtë vit mbledh mbi 100 artistë nga shumë vende të botës e ndër ta edhe nga Rusia.
Këtë vit tre artistë nga Rusia kanë arritur të jenë pjesë e festivalit dhe do të hyjnë në Kosovë. Aristët e tjerë gjithashtu vijnë nga Meksika, Kanada, Argjentina, Ekuadori, Brazili, si dhe nga rajoni e më gjerë.
Një pjesë e artistëve do të akomodohen në 13 shtëpizat në Parkun Rekreativ Gërmia, ndërsa një pjesë tjetër në City Center – një hostel në qendër të Prishtinës.
Festivali sjell edhe artistë shqiptarë nga diaspora – Gjermania, Zvicra dhe Amerika. Në grupin e artistëve janë edhe gjashtë femra artiste me suksese ndërkombëtare në fushën e artit në hapësira publike.
Bazuar në kontaktet e deritashme, pritet që aktivitetet e festivalit të përcillen nga rreth 5,000 vizitorë në tre ditët sa do të mbahet ky festival.
Ky event do të mbahet me datat 18-20 Maj në rrugën B në Prishtinë.