3 dhjetor 2018. Në ish-Galerinë Kombëtare të Arteve (Muzeu i Arteve të Bukura) do të mbërrinte një zarf jo i zakontë. Brenda, specialistja e protokollit – siç më vonë do të bëhet me dije – do të identifikojë një objekt në formën e një plumbi të vendosur në një letër transparente.
Brenda mund të lexohej në anglisht: “Vlera e kësaj vepre arti është e barazvlefshme me koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve”. Që bëhej fjalë për art, të paktën për ata punonjës të thjeshtë të Galerisë, apo për një publik më të gjerë, autori Armando Lulaj do ta sqaronte edhe një ditë më vonë pas dërgimit (“Plumb në zarf” u nis në 29 nëntor 2018, datë që përkon me 44-vjetorin e inaugurimit të ndërtesës së ish-Galerisë Kombëtare, por jo vetëm) në Gazetën Shqiptare, pra tre ditë para se të mbërrinte në këtë institucion.
Pavarësisht gjithë kësaj (në mënyrë absurde sipas disa kuratorëve dhe vetë Lulajt), për Galerinë ky akt do të konsiderohej si “kanosje” dhe “kërcënim”, ndaj një ditë më vonë ngritën një kallëzim penal. Por, Prokuroria pranë Shkallës së Parë në Tiranë, ndryshe nga sa u perceptua nga Galeria dhe drejtuesi i saj aktual Erzen Shkololli, nuk do të konstatojë elementë të ndonjë vepre penale, prandaj vendos të mos fillojë procedimin penal, duke e vendosur veprën në kontekstin e absurdit: Një Galeri që kërcënohet nga një artist i njohur për të dhe Prokuroria që pajtohet me veprën e artit. /Shekulli/