Telegrafi

Arteta ka një ide se si t’ia rrëmbejë Cityt titullin, tregon sa pikë i duhen Arsenalit

Arsenali po shkon shumë pranë titullit të kampionit në Angli në dy sezonet e fundit, por përsëri pa sukses.

Në sezonin e kaluar Topçinjtë kanë grumbulluar 89 pikë, megjithatë City kishte dy më shumë dhe u shpall kampion në Angli.

Mikel Arteta nuk po dorëzohet për titullin dhe synon që këtë vit ta rrëzojë Cityn nga froni dhe për këtë ka një ide.

Tekniku spanjoll ka thënë se do të futen në fushë për ta fituar secilën nga 38 ndeshjet dhe vetëm në këtë mënyrë do ta fitojnë titullin e kampionit.

Sipas Artetas, Arsenalit i duhen 114 pikë për ta fituar titullin.

“Na duhen 114 pikë për t’u shpallur kampionë. Nëse grumbullojmë këtë sasi pikësh padyshim që do të fitojmë titullin”.

“Ky është objektivi ynë. Do të zbresim në fushë për të fituar çdo ndeshje”, ka deklaruar trajneri spanjoll i Arsenalit.

Arsenali do ta nis sezonin e ri në Ligën Premier më 17 gusht, ku në ndeshjen e parë presin Wolverhampton Wanderers. /Telegrafi/