Arsenali nuk ka arritur më shumë se një barazim 2-2 në udhëtim te West Ham United në derbin e Londrës.
Topçinjtë krijuan epërsi të lartë 0-2 në 10 minutat e parë, por nuk arritën ta ruanin atë duke barazuar në fund 2-2.
Në fakt rast të artë për t’i dhënë fitoren Arsenalit kishte edhe Bukayo Saka, por anglezi e humbi penalltinë në fillim të pjesës së dytë.
Me këtë barazim, Arsenali vazhdon të mbetet në krye të Ligës Premier me 74 pikë, katër më shumë se City në vendin e dytë që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta pas ndeshjes ka thënë se kanë dominuar këtë ndeshje dhe është dashur ta fitonin atë, por në fund ky është futbolli dhe nuk fiton gjithmonë skuadra më e mirë në fushë.
“Ne e filluam shumë mirë duke dominuar lojën dhe shënuam dy gola të bukur. Pas kësaj bëmë një gabim të madh duke ndërprerë lojën me synimin për të shënuar golin e tretë dhe të katërt”.
“Në atë moment u dhamë shpresë vendasve. Mund ta kishim mbyllur 3-1, por e pësuam dhe duhet pajtohemi se ky është futbolli”, deklaroi Arteta.
Ndeshjen e ardhshme Topçinjtë e zhvillojnë para adhuruesve të vet përballë skuadrës së fundit në tabelë, Southampton. /Telegrafi/