Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta e ka pranuar se lojtarët e tij janë në rënie pas humbjes së katërt në pesë ndeshet e fundit në Ligën Premier.
Arsenali mori edhe humbjen e tretë radhazi, duke u mposhtur në udhëtim te Southamptoni me rezultat 1-0.
Vizitorët mbetën të frustruar pas 76 për qind të zotërimit të topit dhe 23 përpjekjeve për portën.
Arteta ka folur pas ndeshjes, duke pranuar se ekipi ka rënie dhe nuk po dinë si të reagojnë.
“Lojtarët janë me të vërtetë të dëshpëruar dhe janë në rënie sepse nuk mund të gjejnë përgjigjen e duhur – përveç asaj që ne mund të bëjmë më mirë rreth zonës”, ka thënë fillimisht Arteta.
“Dhe ky është zhgënjimi. Kur dikush është më mirë, i shtrëngon duart dhe duhet të jesh kritik me veten”.
“Por, përveç 25 minutave kundër Crystal Palace dhe disa periudhave kundër Brighton në pjesën e parë, është shumë e vështirë të shpjegohet dhe pranohet”, përfundoi trajneri i Topçinjve. /Telegrafi/