Për Republikën e Kosovës, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare është edhe një test i rëndësishëm i nivelit të civilizimit si shoqëri dhe si shtet i ri. Pakoja e Marti Ahtisarit apo kompromisi i ashtuquajtur i “hidhur” gjegjësisht Aneksi i V-të neni i 6 nuk po gjenë zbatim dot.
Diku në brendësinë e këtij Plani gjendet Aneksi i V-të, neni 6 paragrafi 1 ku thuhet: “Republika e Serbisë, brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj zgjidhjeje, do t’i kthejë artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999”.
Jemi dëshmitarë se ky afat i përcaktuar nga pakoja e M.Ahtisarit ka kaluar dhe artefaktet arkeologjike dhe etnologjike gjenden ende nëpër muzetë e Beogradit nuk janë kthyer. Ato janë marrë nga Kosova dhe me pas janë shpërndarë në muze të ndryshëm të Beogradit. Artefaktet arkeologjike dhe etnologjike që tashmë gjinden në Beograd kanë vlerë universale kulturore dhe dëshmojnë për periudha të ndryshme të historisë sonë. Pra edhe sot e kësaj dite ka një neglizhencë shtetërore dhe ndërshtetërore ndaj kësaj çështje.
Gjatë trazirave të marsit të vitit 2004 u bë shumë zhurmë për dëmtimin e disa objekteve “trashëgimisë ortodokse serbe” në Kosovë. Kjo zhurmë e bërë nga autoritetet e Beogradit dhe nga vetë populli serb, e tronditi bashkësinë evropiane, gjë që mundësoi më vonë restaurimin e tyre, shpalljen e tyre si zona të mbrojtura dhe shumë privilegje tjera që parashihen në Pakon e Ahtisarit.
Për dallim prej kësaj artefaktet tona të marra nga Beogradi në periudhën 1998-1999, për gjoja “ekspozim të përkohshëm”, qëndrojnë ende atje dhe ne heshtim dhe në heshtje presim. Që nga paslufta e këtej nuk është vërejtur ndonjë iniciativë serioze nga autoritetet vendore për kthimin e 1.250 eksponate të thesarit arkeologjik dhe etnologjik. Është fakt se janë bërë disa përpjekje nga Ministria e Kulturës së Kosovës dhe Muzeu i Kosovës për kthimin e tyre por si duket kanë rezultuar të kota. Asnjëherë nuk është ushtruar presion sa duhet nga autoritetet ndërkombëtare mbi Beogradin, për kthimin e tyre në Kosovë.
Të habitë fakti se në Aneksin e Pakos së Ahtisarit, i cili i dedikohet trashëgimisë fetare dhe kulturore në Kosovë, shumë përmenden manastiret dhe kishat ortodokse serbe, kur dihet se trashëgiminë fetare dhe kulturore e përbëjnë edhe xhamitë dhe monumentet tjera me karakter fetar. Nuk ka qenë e nevojshme të iu kushtohet një Aneks i tërë vetëm manastireve dhe kishave ortodokse serbe kur dihet se shqiptarët tradicionalisht kanë pas respekt dhe kujdes ndaj këtyre monumenteve por “serbizimi” i tepërt radikal i tyre ka ndikuar në humbjen e këtij respekti, madje është shndërruar në një dis-respekt brengosës.
Mbesim me shpresë së shoqëria e jonë dhe autoritetet vendore do të vetëdijesohen për rëndësinë dhe vlerën që kanë ato artefakte kulturore dhe do të ndërmarrin masa për kthimin sa më të shpejtë të tyre në Muzeun e Kosovës, aty ku e kanë vendin, pasi ato janë të Kosovës dhe i takojnë vetëm asaj.