Site icon Telegrafi

Artefaktet e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë erdhën në Prishtinë

Në Shtëpinë e Gazetarëve (Reporting House – RH) nën kuratimin e Gazmend Ejupit, sot (11 korrik) në Prishtinë u shpalosen për herë të parë artefakte nga viktimat e Srebrenicës.

Këto artefaktet janë gjësende të viktimave të gjenocidit që i kanë ruajtur familjarët e viktimave, transmeton Telegrafi.

Kjo ceremoni e shpalosjes së artefakteve, u bë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit të ndodhur në Srebrenicë në 1995.


Artefaktet nga Srebrenica, foto: Ridvan Slivova[/caption]

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Emilija Rexhepi tha se më shumë se 8 mijë fëmijë, gra, burra e të moshuar janë vrarë vetëm se forcat serbe kanë menduar se një popull tjetër nuk duhet të ekzistoj.

“Jemi këtu me dhimbjen që po e bartim më shumë se 20 vjet të tregojmë solidaritetin e të gjitha viktimave, të cilët janë vrarë në mënyrë monstruoze në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në qytetin e tyre në Srebrenicë. Më shumë se 8 mijë të vrarë gra, fëmijë, burra dhe të moshuar janë vrarë për shkak se forcat serbe kanë menduar se një popull që i takon një etniteti, nacionaliteti tjetër po para se gjithash një religjioni tjetër nuk duhet të ekzistojë”, tha ajo.

Emilija Rexhepi, Zëvendëskryeministe e Kosovës, foto: Rdivan Slivova

Duke kujtuar se shqiptarët në Kosove dhe boshnjakët kanë pasur të njëjtin armik,  ajo theksoi se nuk duhet harrohet historia që ka ndodhur.

“Ne nuk duhet ta harrojmë atë çfarë ka ndodhur, sepse nëse harrojmë çfarë ka ndodhur në Srebrenicë, kjo mund të përsëritet. Është më rëndësi të shënojmë këtë ditë pasi edhe boshnjakët dhe shqiptarët kanë pasur të njëjtin armik, i cili ka tentuar me zhdukë një popull të tërë.”, tha Rexhepi.

Ndërsa, përfaqësuesi i familjarëve të të vrarëve boshnjakë, Mensur Bektiq, tha se, pavarësisht gjenocidin në Srebrenicë, qytetarët e Bosnjes dhe Kosovës kanë treguar tolerancë.

Mensur Bektic, përfaqësues i familjarëve boshnjak, foto: Rdivan Slivova

“Ditë pikëllimi është sot për ne. Nëse vini në Srebrenicë dhe rrini me nëna, gra, motra të atyre që u janë vrarë, krejt ajo çfarë keni me dëgjuar është ofshamë, pikëllim. Por, asnjëra nuk lypë hakmarrje. Ato edukojnë gjeneratat e ardhshme me tolerancë që mendoj që e ka treguar edhe Kosova”, tha ai.

Ndryshe, këto artefakte janë dhuruar nga Amra Begic, e cila e tregon historinë e artefakteve të babait së saj të vrarë në Srebrenicë. /Telegrafi/ 

Exit mobile version