Telegrafi

Artan Telqiu pjesë e serialit amerikan “Madam Secretary”

Tea Leoni, Artan Telqiu (Foto: Getty Images/Guliver/Facebook)

Aktori shqiptar, Artan Telqiu, është pjesë e episodit të ri në hit-serialin televiziv amerikan, “Madam Secretary”.

Në episodin e ri që do të transmetohet të dielën (9 dhjetor) në CBS, protagonistja kryesore Elizabeth McCord (që portretizohet nga Tea Leoni) dhe bashkëpunëtorët e saj, “po përpiqen të ruajnë marrëveshjen historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi në Serbi zbulohet një varrezë masive që daton nga lufta në Kosovë”.

Telqiu, me origjinë nga Dibra e që jeton në New York, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se në episodin e ri që është në kuadër të sezonit të pestë të “Madam Secretary”, luan rolin e një arsimtari të varfër shqiptar.

“Me kënaqësi ju njoftoj se episodi në të cilin luaj unë do të transmetohet të dielën, 9 dhjetor, në ora 22:00 në CBS! Njësoj si të gjithë ju që do ta shikoni, do të jetë hera e parë edhe për mua që e shikoj këtë episod”.

“Jam shumë kurioz të shoh si ka dalë, sa nga skena është përfshirë në episodin real dhe sa bukur dukem në të…”.

“Unë luaj rolin e një arsimtar të varfër shqiptar dhe duhet të jem në fillim dhe në mbyllje të episodit. Jam shumë i entuziazmuar”, ka shkruar Telqiu në Facebook.

“Madam Secretary” është një serial i zhanrit dramë politike, në të cilën rolin kryesor e luan Tea Leoni që portretizon Elizabeth McCord, një ish-analiste e CIA-s dhe profesoreshë e shkencave politike, e cila është bërë Sekretare e Shtetit.

Seriali emetohet në CBS që nga shtatori i vitit 2014, ndërsa këtë vit ka nisur të jepet sezoni i pestë me radhë.

Artan Telqiu është i njohur për punën e tij në projektet filmike, si “Forgotten Kingdom: Genesis” (2015), “Infected” (2015) e “The Elegant Clockwork of the Universe” (2013). /Telegrafi/