Telegrafi

Artan Grubi: BDI nuk kushtëzon për Ligjin për PP, mbështesim shkarkimin e ministres Mizrahi

Deputeti nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi në konferencë për shtyp në Kuvend, tha se “BDI është për shkuarje në zgjedhje të parakohshme me ligje të miratuara”.

“BDI në mënyrë absolute e mbështet Ligjin për Prokurori Publike dhe Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe se ne nuk kushtëzojmë askënd për miratimin e këtyre ligjeve, le t’i vendosim ligjet për votim”, tha Grubi, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ai shtoi se ka një marrëveshje paraprake që zgjedhjet të mbahen më 12 prill por në marrëveshje nuk ceket data e shpërndarjes së kuvendit, por, sipas Grubit, nëse duam zgjedhje të parakohshme kuvendare më 12 prill, afati për shpërndarjen e Kuvendit është 16 shkurti.

Grubi në konferencë për shtyp gjithashtu tha se BDI do të përkrahë propozimin për shkarkimin e ministres Rashela Mizrahi për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Ohrit dhe Marrëveshjes së Prespës./Telegrafi/