Telegrafi

Artan Balaj ekspozon në Gostivar

Piktori nga Kosova që jeton dhe vepron në Antwerp të Belgjikës, Artan Balaj, para publikut gostivaras u prezantua me 33 vizatime artistike. Galeria private e fotografit Osman Demiri, “Kult”, ishte vendi që tuboi artistët dhe studentët e artit figurativ, por edhe artdashës të shumtë nga Gostivari.

“Falënderoj piktorin Artan Balaj që na nderoi me këtë ekspozitë, me të cilën shënohet edhe fillimi i aktiviteteve të sivjetme të Galerisë ‘Kult’”, theksoi Demiri.

Për veprat e Balajt foli profesori i artit figurativ në Fakultetin e Arteve pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, Safet Spahiu, i cili mes tjerash theksoi: “Një pesë të këtyre veprave Artani i ka vizatuar në gjendje imobile, respektivisht i shtrirë në spital si i palëvizshëm, ndërsa pjesën tjetër e ka punuar duke pirë kafe. Dallimi ndërmjet tyre mund lehtë të vërehet. Ato vepra që i ka punuar në spital janë më precize në aspektin teknik, ndërsa tek ato që i ka punuar duke pirë kafe dominon një kolorit më i madh. Artanin do ta quaja ‘Vasarely’ i kohës sonë, por në një formë ndryshe, në një formë të re, me një freski e cila ndoshta është edhe e inspiruar nga piktori hungarez Victor Vasarely. Punimet e tija, jo vetëm që janë artistike, por në vete përmbajnë edhe teknikë ë shkëlqyer”.

Artan Balaj ka lindur në vitin 1977 dhe Prishtinë. Jeton dhe punon në Antwerp. Ka diplomuar dhe magjistruar në pikturë në Fakultetin e Arteve – Universiteti i Prishtinës. Ka realizuar nëntë ekspozita personale në Belgjikë, Holandë, Itali, Meksikë, Poloni, Rumani dhe Kosovë.