Telegrafi

Arta Muçaj me rol kryesor në filmin australian

Arta Muçaj është protagonistja kryesore e një filmi australian që trajton dhunën në familje.

Aktorja 40-vjeçare, e cila jeton në Australi, është përfshirë në filmin e metrazhit të shkurtër “Degrees of Seperation” (Nivelet e ndarjes) që u transmetua për herë të parë, javën e kaluar, në një konferencë për profesionistët e ligjit familjar në Brisbane të Australisë.

Imazhi i artistes kosovare që ka performuar në shumë festivale teatrore vendëse e ndërkombëtare në Evropë, pas paraqitjes në këtë film, është bërë subjekt i trajtimit, të një shkrimi të botuar në ABC (Korporatën Transmetuese të Australisë), transmeton KultPlus.com.

Aktorja prizrenase, e cila kishte studiuar artin dramatik në Akademinë e Artevë në Tiranë, shfaqet në këtë shkrim me një foto nga filmi ku pasqyrohen gjurmët e dhunimit në rol filmik.

Filmi që trajton dhunën në familje nëpërmjet syve të dy viktimave, është vlerësuar se mund të bëhet një mjet ndihmese për gjyqtarët që merren me dhunën në familje në gjykata.

Projekti kinematografik është financuar në tërësi në vlerë prej 15 mijë dollarësh nga Darren Mort një avokat nga Melburni. Ai ka deklaruar se e ka bërë filmin për të hulumtuar pse kaq shumë viktima i mbajnë sekret tmerret që kanë kaluar dhe shpesh zgjedhin të jetojnë në mohim.

Ky projekt nuk ishte menduar asnjëherë të ishte një film trajnimi, por ekspertët e ligjit të familjes që ishin njerëzit e parë në Australi që e panë filmin kanë deklaruar për ABC se do të jetë një mjet i përsosur për ti ri-aftësuar gjyqtarët dhe ndërmjetësit në Gjykatën e Familjes.

Trajnuesja australiane për ndërmjetësim në marrëdhënie, Lilia Szarski ka deklaruar se filmi tregon se ka një nevojë të fortë për të hapur debatin se si ta njohim dhunën në familje duke shtuar se nuk po bëhet asgjë për këtë. Edhe psikologu Phil Stahl, i cili është gjithashtu një anëtar i Kolegjit Gjyqësor Kombëtar të SHBA, tha se filmi do të ketë ndikim të fuqishëm në edukimin figurave të larta në sistemin e drejtësisë.

Avokati Mort, i cili është përfshirë gjithashtu në një Qendër të Reagimit për dhunën në familje, shpreson se filmi i tij do të bëjë ndryshim. “Nivelet e ndarjes” pritet që të dalë në publik, vitin e ardhshëm