Java e parë e dhjetorit, në Miami iu është kushtuar artistëve, ekspozitave, vendosjes së instalacioneve të ndryshme që përcillnin situatën që po përjeton e gjithë bota.
Pandemia e koronavirusit detyroi, në fillim të shtatorit, galerinë Art Basel, të anulonte panairin e pikturave, skulpturave, fotografive etj. Por, këtë herë ajo është rihapur me një numër të kufizuar vizitorësh të cilët pëlqejnë artin dhe kulturën.
Art Basel çdo vit vizitohet nga miliona turistë dhe pandemia solli një goditje shumë të madhe pasi siç dihet Miami mbahet nga turizmi. Aktualisht, Florida numëron mbi 1.1 milion të infektuar dhe mbi 19 mijë vdekje.
Lauren Shapiro, artiste e cila realizon punime me qeramikë, gjatë kohës së pandemisë bashkëpunoi me një biolog duke sjellë një instalacion të bërë me baltë që tregonte shkatërrimin që po i bëhet koraleve si pasojë e hedhjes së plastikës në dete dhe në oqeane. E quajtur Future Pacific, ajo simbolizon zhdukjen e ekosistemeve koralorë, ku shkaktarët kryesorë janë njerëzit.
“Është një punë kolosale. Më vjen keq që pandemia na bllokoi, por edhe pse vizitorët janë shumë të rrallë. Ky instalacion duhet të shërbejë si një thirrje për të gjithë njerëzit që të ndërgjegjësohen. Problemi nuk është vetëm virusi, por edhe mjedisi”.
Ndërkaq, piktorë të cilët kanë ekspozuar disa prej punëve të tyre në Art Basel, janë shprehur se duhet të bëhet më shumë në fushën e kulturës dhe që artistët të kenë gjithë vitin në dispozicion për të sjellë punët e tyre. /Klan Plus/