Site icon Telegrafi

Art i madh i Van Goghut të poezisë shqipe, apo nji ‘Haiku’ shqip…

Nga: Halil Matoshi

Frederik Reshpja, “Ushtari i vjetër”

1.

Frederik Reshpja âsht kolos i poezisë shqipe, porse i shkelun nga gjeneralasimusi dhe kallajxhitë e kazanit të tij të përlyem me gjak, e ma e keqja harrue e qitë p’ej lektyrës shkollore nga mësues regjimli dhe shmang p’ej lexuesve demela që i marrin për t’mirëqenë vetëm poetët që i madhnon pushteti politik!?

2.

Teksti i Reshpjës âsht i dendun me metafora dhe metonimi, me tone e nuansa ngjyrash të çiltra fillimisht për me u mbyllë me kadenca të rânda e t’errta, si sekuencë ritmike ose rrjedhë e tingujve në gjuhë, pastaj vjen nji tendosje përmbyllëse dhe zakonisht në rënie…

3.

Fëmijtë në tablo janë si ândrrat e nânave qe me delikatesë janë vendos në vazot e çmueme aso nga arti kinez i qeramikës, dmth vazo ku ruhet vet tharmi dhe ideja e jetës dhe lumtunisë!

Ekzistenca njerëzore.

Mirëpo, poeti tue pasë parasysh se jeta ka edhe anën e vet të errët – moshën e thyeme – ia kundërvën veten (âsht përherë në arrati!?) si prototip i nji kohe të mbrapsht dhe vuejtjes njerëzore, për ta kriju imazhin e brishtësisë së të bukures, delikatesës, që mund të venitet si luledielli dhe të thyhet si vazot e çmueta!?

4.

Nji kanavacë e mbushun me ngjyra të verdha të ndritshme, pasunue e prarue me lamjen në diellin e ferkut, e ngrohun me kafen prej dheu tue përshkru njerëzit dhe natyrën, që njiherit âsht thelbi i veprave të mdhaja të Vincent Van Gogh.

Tue krahasu mënyrën se si Van Gogh krijoi thellësinë dhe realitetin, na del se kthimi në të kaluemen – në fëmijninë e poetit – në diktaturën ma bizare të shpikun nga nji mendje kriminale, asht zëvendësim për thellësinë në tablon e Gogh-ut, por qe e bân me fjalë Reshpja dhe natyrisht imagjinata e botës së bujshme të fëmijëve, që e kuptojnë se i saposhfaquni i befasishëm, me moshën e tij ngërthen jolumtuninë, hapësinën negative!

“Luledielli” përfaqësohet realisht me përdorimin e madh të hapësirës pozitive dhe negative, njâjtë si poezia e Reshpjës ku përballet lumtunia me mërzitjen, shkëlqimi me zymtinë, qeshja me gjâmën e brendshme që përthakon idenë për fëmijninë e munguet të poetit.

5.

Po fëmijtë nga e dinin këtë fakt?

Natyrisht se âsht thyemja, thinjat dhe sytë e lbyrun të pleqnisë pamja e trishtueshme e plakjes (hapsina negative e tablosë);

Derisa për Van Gogh, luledielli përfaqëson lumtuninë, për Reshpjën ato janë andrrat e nji nane!

6.

Lexoni këto pesë vargje.

Mbyllni sytë dhe keni me e pa pikturën e Van Gogh-ut “Leldielli” ne nji vazo delikate…

Vazoja asht arka e jetës ku nanat fshehin andrrat e tyne dmth ma t’shtrenjtën frymë që kanë!

Une e due Mjeden per gegnishten e tij t’amel dhe poezite proverbiale, e due Camajn per metaforen e tij te hyjnishme etnopsikologjike, ama me Reshpjen s’asht mahi: Poezia e Tina âsht drita e çastesishme e vetimes.

Asht vet vetima!

Përcillet me bubullimë dhe sakaç çdo gjâ qetohet.

***

USHTARI I VJETËR

Pash fëmijët në rrugë. Të qeshur,
të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara,
ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.

Më panë dhe u trishtuan. E kuptuan,
që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë…

 

 

Exit mobile version