Site icon Telegrafi

“Arsyetimi i spiunit serb për praninë në Kuvendin e Maqedonisë, i marrë dhe qesharak”

Prania e Goran Zhivaljeviqit, oficerit të Agjencisë serbe të Kundërzbulimit (BIA) në dhunën e 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë, vazhdon të ngjallë reagime të shumta edhe në Serbi. Madje, ka nga ata që e quajnë “skandal diplomatik” të Serbisë, ndërsa i bëhet thirrje Qeverisë së Vuçiçit të pastrojë dilemat me agjentin Zhivaljeviq, shkruan gazeta KOHA. Profesori i Fakultetit për Siguri në Beograd, Darko Trifunoviq, njëherësh ish-punonjës i BIA-s, thotë se nuk ka dyshim se bëhet fjalë për një skandal të paparë diplomatik, ndërsa shpjegimi i Zhivaljeviqit, siç thotë ai, “është i marrë dhe qesharak”.

Lexo po ashtu Çfarë kërkonte oficeri i inteligjencës serbe në dhunën në Kuvendin e Maqedonisë?!

“Çfarë pune është ajo që diplomati serb të merr pjesë në puçin e një vendi tjetër? Mos vallë në Parlamentin e Maqedonisë atë natë ka qenë edhe ndonjë nëpunës i ndonjë ambasade tjetër? Me gjithë këtë, është e nevojshme që të kontrollohet lidhja e tij me pjesën militante të VMRO-DPMNE-së, sepse nuk duhet të harrohet ajo që Igor Jug, dy orë ka mbajtur armën në gatishmëri të drejtuar në Zaevin. E gjithë kjo tregon se sa vendimi i Vuçiçit për ndërrimin e drejtorit të BIA-s ishte e detyrueshme, por veprim tejet i arsyeshëm. Zhivaljeviq i takon pjesës së larguar të BIA-së për të cilin as ish-drejtori nuk e ka ditur se çka kërkon ai aty”, thotë Trifunoviq për agjencinë serbe të lajmeve “Vesti”.

Lexo po ashtu MPJ ka ftuar në takim ambasadoren serbe në Shkup të sqarohet për rastin Zhivaljeviq

Megjithatë, para Vuçiçit, por edhe Bratisllav Gashiqit (drejtori i ri i BIA-s), gjendet një punë e madhe që të ballafaqohen me strukturat paralele të BIA.

Atje, për momentin ekzistojnë tri klane të ndryshme: ai prorus, proamerikan dhe kriminal, i cili është më meritori për shumë afera – prej asaj në Jajincë kur në afërsi të shtëpisë së familjes së kryeministrit u gjet armë, e deri në kontrollimin e grupeve të ndryshme të simpatizantëve nga ana e disa zyrtarëve të lartë të BIA.

Në këtë shërbim ekzistojnë edhe persona të ndershëm dhe profesionistë, të cilët deri tani kanë qenë të penguar dhe nuk kanë mundur të punojnë. Jam i bindur se vendosja e Gashiqit këtë do të ndryshojë”, beson Trifunoviq. Ndryshe, javën e kaluar, Vuçiçi shkarkoi nga detyra drejtorin e BIA-s, ndërsa emëroi Bratisllav Gashiqin.

Exit mobile version