Telegrafi

Arsyetimi i dështimeve – “sport i njohur” në Kosovë

Garimi deri në fund, edhe atëherë kur vlerësohet se nuk ka gjasa, cilësohet pjesë e rëndësishme e sportit. Sportive, vlerësohet edhe festa pas suksesit, por edhe pranimi i dështimit kur rezultati mungon.

Me këtë të fundit kanë telashe trajnerët dhe drejtuesit në sportin kosovar, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe kur dështohet, sidomos në gara ndërkombëtare e që po ndodh shumë shpesh së fundmi, rezultati i dobët mundohet të arsyetohet.

Të paktë janë trajnerët dhe drejtuesit që e marrin përgjegjësinë për ndonjë dështim. Fajin për mungesë rezultati e gjuajnë diku tjetër, por ka plot raste kur nxirret edhe ndonjë fitore e natyrës tjetër në disfatën sportive.

Rezultatet e javës së fundit janë në vijë me rezultatet e sportit kosovar pas pranimit ndërkombëtar, nëse nuk merren për bazë rezultatet e xhudistëve dhe bëhet ndonjë përjashtim i vogël.

Boksierët humbën luftërat e para në turneun kualifikues evropian për lojërat olimpike “Rio 2016”. Hendbollistët e rinj pësuan vetëm humbje në kualifikime për evropian, tenistet humbën thellë në paraqitjen e parë zyrtare, pingpongistët mezi arritën një fitore në kualifikime, ndërsa një peshëngritës ngriti shumë më pak se peshëngritësit e tjerë të kategorisë së tij.

Boksieri Violant Sylejmani të martën pësoi me ndërprerje në raundin e tretë nga çeku Hmajak Aperjan, në meçin e kategorisë deri 60 kilogramë. Humbja me ndërprerje nuk i mundësoi Federatës së Boksit të Kosovës që të arsyetojë shumë rezultatin.

Të dielën në turneun kualifikues që po mbahet në Samsun të Turqisë humbi edhe Armend Xhoxhaj, aktualisht boksieri që vlerësohet më i miri në vend. Sipas Federatës Botërore të Boksit, Xhoxhaj humbi 3:0. Ky rezultat u konfirmua edhe nga Federata franceze, por jo edhe nga Federata kosovare, që njoftoi se Xhoxhaj humbi 2:1. Madje FBOXK-ja njoftoi se Xhoxhaj si shumë herë deri më tani ka humbur me fajin e gjyqtarëve.