Telegrafi

Arsyetimi i aktgjykimit dënues për Sekiraqën: Dy javë para vrasjes së Triumf Rizës ishte tentuar privimi i tij nga jeta

Në aktgjykimin e shpallur më 03.05.2024 dhe të përpiluar më 02.08.2024, Gjykata ka vërtetuar faktin se vetëm dy javë para vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, ishte tentuar privimi i tij nga jeta, gjë që çon në argumentin e mosheqjes dorë të Enver Sekiraqës për ta eliminuar atë.

“Andaj, kjo gjykatë edhe njëherë ka vërtetuar faktin se vetëm dy javë para vrasjes së T, ishte tentuar privimi i tij nga jeta që qon në argumentin e mos heqjes dorë nga E.S për ta eliminuar tani të ndjerin.”- thuhet në aktgjykim.

Dëshmitari B.Sh. kishte deklaruar se në fshatin Stagovë Triumf Riza i kishte treguar se diku në mes të rrugës kryesore dhe fshatit Stagovë e kishin zënë pritë, dikush i kishte vënë disa dru dhe shkëmbinj në rrugë dhe sipas tij ai i kishte thënë se kishte parë disa persona të armatosur.

Sipas arsyetimit të këtij aktgjykimi, rasti në Stagovë kishte ndodhur rreth dy javë para vrasjes së Triumf Rizës.

Dëshmitarët A.S., A.I. dhe Sh.R. rikonfirmojnë faktin se prapa këtij atentati për vrasje të Triumf Rizës qëndronte Enver Sekiraqa me njerëzit e tij, e në anën tjetër Enver Sekiraqa në shqyrtim gjyqësor kishte specifikuar se ky nuk ishte atentat dhe nuk ishte tentuar të rrokulliset vetura e tij e në anën tjetër specifikonte se nuk ishte prapa këtyre rasteve.

“Në bindjen e trupit gjykues, tendenca imagjinare e të akuzuarit për të inskenuar se si bashkëfshatar ja kanë bllokuar rrugën tani të ndjerit pasi që kishin bërë dëme në tokën e tij, krijon idenë e qartë se i njëjti pretendon të specifikoj se çka ka mundur ti ndodh të ndjerit atje, për diçka që ai pretendon se fare nuk është në dijeni dhe i përfshirë. Në këtë kontekst i akuzuari pretendon të përgënjeshtron faktin se aty kishte atentat, duke krijuar një version të tij, por ky version nuk gjen asnjë mbështetje në provat e tjera të elaboruara më sipër”- vazhdon arsyetimi i aktgjykimit për këtë rast.

Në bazë të dëshmive  të dëshmitarëve të elabororuara në arsyetimin e këtij aktgjykimi, Gjykata ka vërtetuar faktin se vetëm rreth dy javë para vrasjes së Triumf Rizës, me urdhër të Enver Sekiraqës ishte planifikuar likuidimi i tani të ndjerit.

“Nga dëshmitë e lartcekura të dëshmitarëve të elaboruara më sipër e që do të elaborohen edhe në vijim të arsyetimit të aktgjykimit, kjo gjykatë vërteton faktin se vetëm rreth dy javë para vrasjes së T, me urdhër të E.S ishte planifikuar likuidimi i tani të ndjerit”- thuhet tutje në aktgjykim.

Plot 17 vite më parë, në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare ishte vrarë polici i Kosovës, Triumf Riza. Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 35 vjet burgim.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës, i nisur në vitin 2014, ka rezultuar me tri dënime të deritanishme.

Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vjet burgim, kurse me 30 vjet burgim në vitin 2019. E më 03.05.2024 u dënua me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës.

Që nga shpallja e aktgjykimit për herë të tretë, Enver Sekiraqa ka ikur dhe është i paarritshëm për organet e rendit dhe të drejtësisë.

Për këtë arsye, Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të mësuar vendndodhjen e tij dhe për arrestimin e tij.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007.

Sipas Prokurorisë, rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës.

Ani pse gjykimi ishte zhvilluar dy herë të tjera, në gjykimin e tretë që iu bë Sekiraqës dëshmuan dy dëshmitarë të paftuar më parë.

Njëri nga ta ishte shoku më i afërt i viktimës, Arben Selmanaj, i ftuar për herë të parë nga Prokuroria Speciale.

Gjatë dëshmisë së tij, Selmanaj ka rrëfyer për konfliktet në të cilat edhe vetë kishte qenë subjekt.

Dëshmitari i fundit që u dëgjua ishte Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja.

Kqira ishte ai i cili rrëfeu versionin e tij për atë se çka ndodhi pas natës së shumëpërfolur të incidentit në “Swiss Casino”.

Çfarë thotë aktakuza?

KALLXO kishte siguruar akuzën e parë me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës që u krye nga Arben Berisha, njeriu i besueshëm i Sekiraqës.

Në këtë akuzë thuhet se më 30.08.2007 në Prishtinë, Enver Sekiraqa ka nxitur Arben Berishën që të privonte nga jeta Triumf Rizën, i cili shërbente si zyrtar policor asokohe në Shërbimin Policor të Kosovës.

Dosja  thotë se katër të akuzuarit këtë e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhet në akuzë.

Akuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjellë lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Aktakuza thotë se pasi kishin pranuar një mesazh, Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, kanë shkuar në kafenenë “Queens”.

Në këtë kafene, Arben Berisha thuhet se është futur i armatosur me ‘Glock’ të kalibrit 9×19, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.

Akuza sqaron se Arben Berisha kishte vrapuar pas tij dhe kishte shkrepur 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.

Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Triumf Rizën duke e plagosur atë për vdekje.

“Mënyra e vrasjes ka qenë mizore dhe mashtruese pasi që ka qenë e para-planifikuar dhe është ekzekutuar nga një grup kundër një viktime të pambrojtur e që është qëlluar nga prapa” – thuhet në aktakuzën kundër Enver Sekiraqës.

Triumf Riza, sipas kësaj akuze është vrarë pasi gjatë viteve që kanë çuar deri të vrasja e tij, ai kishte qenë shënjestër për hakmarrje.

Në vitin 2004, Riza ishte shoqëruar me Adelina Ismailin, e që akuza thotë se që nga vitin 2003 ajo kishte qenë duke vuajtur në duart e të pandehurit e të bandës së tij pasi që Enver Sekiraqa shpesh e kishte kërcënuar atë.

Madje, akuza thotë se në shumë raste, Sekiraqa e kishte detyruar Adelina Ismailin t’i jepte atij shuma të ndryshme parash që varionin nga qindra euro deri në 9 mijë euro.

Po ashtu, akuza tregon se më 24 dhjetor të vitit 2005, në një klub nate të quajtur “Swiss Casino” në Prishtinë, kishte ndodhur një përleshje e dhunshme në mes të Triumf Rizës dhe bandës së Enver Sekiraqës.

Në këtë përleshje kishte pasur edhe të shtëna armësh dhe ishin lënduar një numër individësh. Në këtë incident është thënë se është lënduar edhe vetë Enver Sekiraqa, i cili ishte shtruar në spital, si rezultat i incidentit të dhunshëm me të ndjerin.

Ky incident, sipas akuzës, ka shtyrë Enver Sekiraqën që aktivisht të kërkojë hakmarrjen kundër Triumf Rizës.

Për këtë, i pandehuri gjithashtu fajëson Triumf Rizën duke besuar se ai i kishte inkurajuar kolegët e tij policë që të sulmonin Sekiraqën.

Akuza thotë se duke qenë se ishte në kërkim të hakmarrjes dhe i inatosur me veprimet e Triumf Rizës, në periudhën deri te vrasja e tij, Enver Sekiraqa dhe banda e tij shumë shpesh e kanë ndjekur atë me makina duke u përpjekur për ta lënduar dhe frikësuar.

Po ashtu, akuza thotë se pretendohet se Enver Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen e Triumf Rizës, duke e organizuar bandën e tij që ta ndiqnin Triumf Rizën dhe duke e nxitur Arben Berishën, i cili ishte personi i tij i besuar brenda grupit që të shtinte të shtënat e vrasjes.

Triumf Riza tregohet se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Arben Berishën, por vetëm me Enver Sekiraqën, raporton Kallxo.