Site icon Telegrafi

Arsyet se përse duhet të shkoni me nënën në pushime të paktën një herë në vit

Për disa prej neve, kalimi i pushimeve me nënën mund të mos duket diçka argëtuese dhe, kur duam të udhëtojmë, më shumë preferojmë ta marrim bashkëshortin, partnerin apo ndonjë shoqe.

Sidoqoftë, posa ta lexoni këtë artikull do ta kuptoni se kalimi i pushimeve me nënën ka qindra përfitime, transmeton Telegrafi.

Ju dhe nëna juaj veçse jeni ekip

Përderisa vërtet se merr kohë t’iu përshtateni shprehive dhe preferencave të një shoqeje gjatë udhëtimit, ju dhe nëna juaj e njihni njëra-tjetrën më mirë se kushdo tjetër në botë. Qoftë nëse jeni duke u shtrirë në plazh apo duke bërë hiking, duke vizituar muze apo duke bërë shopping, duke ngrënë në restaurant apo duke shijuar ushqime të rrugës, të gjithë kemi ide të ndryshme se si duhet të duket një pushim ideal.

Por, kur vjen fjala për prindërit tanë, shanset janë se i ndajmë me ta të njëjtat prioritete të udhëtimit, pasi që prindërit janë ata që na kanë mësuar të udhëtojmë për herë të parë.

Së bashku do të krijoni kujtime që vërtet kanë rëndësi

Asnjë suvenir nuk e zëvendëson një ‘selfie’ me nënën apo një fotografi ku të dyja qëndroni pranë një monumenti duke u dukur të çuditshme “pa” këmbë apo koka (sepse i keni kërkuar një të huaji t’ua bëjë fotografitë). Këto fotografi mund të mos ju duken interesante në fillim, por padyshim se pas një kohe do t’i vlerësoni më shumë se çdo gjë tjetër sepse do t’jua rikujtojnë momentet e ëmbla që i keni jetuar së bashku.

Kur udhëtoni me nënën, gjeni kohë të krijoni kujtime që kanë rëndësi për të dyja ju pas disa viteve. Çfarë mund të ketë gjë më të mirë sesa një ditë të pini çaj me nënën duke thënë: “A i mban mend picat që i kemi ngrënë në Itali? Janë më të shijshmet që i kam ngrënë ndonjëherë”.

Udhëtimi me nënën është mundësi e mirë për të qëndruar të lidhura me njëra-tjetrën

Nëse shkaku i angazhimeve apo çfarëdo arsye tjetër nuk mund të flisni shpesh me nënën, atëherë udhëtoni vetëm ju të dyja në mënyrë që t’i kompensoni kohërat e humbura së bashku. Shfrytëzoni udhëtimet për të folur çdo gjë në detaje, për të qeshur, për t’u përqafuar, për të qarë dhe për çdo gjë tjetër.

Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i thënë “Faleminderit” sesa duke udhëtuar bashkë

Një nënë bën çmos për ta bërë të lumtur fëmijën. Ta ftoni nënën për një pushim së bashku është ndër mënyrat më të mira për t’i dhuruar asaj diçka.

Ju mund të mos e mendoni këtë, por udhëtimi me fëmijën e dashur ka shumë rëndësi për të. Nëse provoni t’i rikrijoni udhëtimet në të cilat keni shkuar kur keni qenë fëmijë, atëherë ajo vetëm sa do të ndihet më e lumtur dhe nostalgjike. /Telegrafi/

Exit mobile version