Site icon Telegrafi

Arsimimi kuantitativ

Tanimë ka filluar të bëhet zakon që të rinjtë kosovarë të shohin shkollimin (akademik) si mjetin kryesor për sigurimin e ekzistencës dhe mirëqenies së tyre. Gjithashtu edhe prania e madhe e kolegjeve dhe universiteteve po u mundëson atyre që të studiojnë dhe specializohen në fusha të ndryshme shkencore, akademike dhe organizative. Ky fakt, në planin teorik duket mjaft i mirë. Shqiptarëve gjithnjë në histori u ka munguar shkollimi, prandaj duhet t’i gëzohemi faktit se sot nuk po u mungojnë mundësitë e tilla.

Mirëpo, shqetësimi qëndron në faktin se shkollimi është në rritje e sipër vetëm në aspektin kuantitativ apo numerik dhe jo në atë kualitativ apo cilësor. Thënë ndryshe, sot ka mjaft të diplomuar në fusha të ndryshme, por ka shumë pak të tillë që i njohin në mënyrë të thellë problemet e fushës për të cilën janë specializuar. Studimet apo avancimi në planin akademik po konsiderohet si mjet për sigurimin e një vendi pune, dhe jo si qëllim në vete për njohje të thellë të fushës që studiojnë. Për më keq, kur këtij fakti i shtohen edhe problemet e tjera siç është procesi jo i drejtë i rekrutimit në punë, atëherë problemet sociale veç sa vijnë e rëndohen.

Mirëpo, për fat të keq problemi nuk përfundon me kaq. Shqetësues është po ashtu fakti se Kosova po prodhon vetëm kuadro të fushave kryesisht teorike, dhe në anën tjetër mungon totalisht interesimi dhe kushtet për edukim në fusha profesionale për prodhime dhe shërbime të caktuara. Konkretisht, në Kosovë ka shumë juristë, ekonomistë, politikologë dhe të tjerë të tillë, mirëpo ka shumë pak njerëz që dinë dhe janë në gjendje të prodhojnë gjëra më elementare për jetë. Për rrjedhojë edhe motoja e shpeshtë e politikanëve tanë se Kosova ka një pasuri të madhe dhe ajo është rinia e saj, duhet të merret me shumë rezervë, për shkak se rinia e Kosovës është resurs që duhet investuar dhe përpunuar shumë në mënyrë që të jetë e gatshme dhe e dobishme për tregun vendor, rajonal dhe global.

Gjithashtu, edhe premtimet e politikanëve tanë për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë me argumentimin se Kosova ka fuqi të madhe punëtore, po ashtu duhet të merret me skepticizëm të thellë, për shkak se fuqia punëtore në Kosovë nuk është e përgatitur dhe e gatshme që t’i përshtatet teknologjisë moderne të punës, ndërsa mjetet klasike të punës për vendet e zhvilluara tashmë janë jashtë përdorimit. Ajo që duhet të bëjë vendi ynë momentalisht është formimi i një komisioni me ekspertë të ndryshëm dhe hartimi i një plani strategjik, në bazë të të cilit do të parashiheshin dhe ofroheshin më pas kushte adekuate për trajnimin dhe përgatitjen e të rinjve për punë të ndryshme në sektorë të ndryshëm prodhimi dhe shërbimi. Vendi duhet të identifikojë suficitet e veta kuadrovike, dhe më pastaj në bazë të nevojave që ka të orientojë dhe kanalizojë resurset e veta humane.

Është evident fakti se shteti apo politika nuk mund të ndërhyjë tek individët, gjegjësisht tek imponimi i profesioneve, por është brenda kompetencave të shtetit që të ofrojë kushte dhe mundësi për edukim dhe përgatitje në fusha të ndryshme nga ato më të thjeshtat deri tek ato më të ndërlikuarat. Dhe më pas, në bazë të kritereve të caktuar të seleksionojë dhe limitojë kuadrat në fusha të caktuara. Në të kundërtën, vendi ynë do të vazhdojë të ketë magjistra të shumtë, por do të mungojnë vendet e punës për këta magjistra të shkencës, dhe do të vazhdojë të mungojë aftësia për punë në disa fusha të tjera po ashtu.

(Autori është bachelor i psikologjisë dhe ndjek studimet master në Diplomaci)

Exit mobile version