Pas emërimit të ish-drejtorit të Teatrit të Tetovës, Valmir Aziri si sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës, sot është emëruar si drejtor i ri i këtij teatri, Arsim Fazlija, aktor dhe i punësuar në këtë institucion.
Kjo bëhet e ditur nga vetë Aziri i cili njofton se është takuar me drejtorin e Pallatit të Kulturës, Haki Fazliu dhe drejtorin e ri të Teatrit të Tetovës, Arsim Fazlija.
”Sot (19 janar 2018), sekretari Aziri realizoi takim të përbashkët me drejtorin e Pallatit të Kulturës në Tetovë, Haki Fazliu si dhe drejtorin e Teatrit të Tetovës, Arsim Fazlija. Në takim u diskutua mbi punën që bën Pallati i Kulturës së Tetovës dhe Teatri duke përfshirë përvojat dhe praktikat e tyre. Pjesë e këtij takimi ishin edhe të punësuarit e teatrit të Tetovës të cilët kontribuan rreth diskutimit lidhur me problematikat me të cilat hasen dy Institucionet gjatë realizimit të punës së tyre dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen. Njëkohësisht, Aziri i njoftoi ata me projektet, investimet në teatër dhe strategjinë e Ministrisë së Kulturës për sa i përket këtyre dy institucioneve”, thuhet në njoftimin zyrtar të sekretarit Aziri.