Arsene Wenger beson se nëse futbolli vazhdon të luhet pa tifozë edhe në edicionin e ri, atëherë do të ketë dëme serioze.
Duke folur për beIN Sports, francezi deklaroi se sporti më i shikuar në botë mund të mos jetë më i njëjti pa praninë e tifozëve në stadium.
“A do të dëmtojë mos-prezenca e tifozëve në stadium, futbollin? Jam i bindur se do të ndodhë ajo gjë”, ka thënë Wenger.
“Futbolli është i përbërë nga dy segmente, lojtarët dhe tifozët. Më pas janë ata që e shikojnë në TV”.
“Ne kemi lënë mënjanë tifozët, aty janë vetëm lojtarët, në një stadium bosh. Unë jam njeri i futbollit dhe më pëlqen të shikojmë ndeshje me tension më të lartë, andaj tifozët janë pjesë e futbollit”, ka shtuar më tej ai.
Ende nuk ka ndonjë vendim se kur mund të lejohet futja e tifozëve në stadium, derisa Bundesliga është bërë kampionati i parë që është rikthyer, pas ndërprerjes së futbollit nga coronavirusi në muajin mars. /Telegrafi/