Telegrafi

Arsenali triumfon në udhëtim te Huddersfieldi

Arsenali (Foto: Gareth Copley/Getty Images/Guliver)

Arsenali ka fituar në udhëtim te Huddersfieldi me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të në Ligën Premier.

Skuadra e drejtuar nga Unai Emery i është kthyer fitores në kampionat duke mposhtu Huddersfieldin pas humbjes në javën e kaluar nga Manchester City.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por Topçinjtë e bënë diferencën duke shënuar dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas 16-të minutave lojë dhe ishte Alex Iwobi, i cili shënoi një gol të bukur me vole për epërsinë 1-0.

Alex Iwobi (Foto: Gareth Copley/Getty Images/Guliver)

Pas këtij goli, Arsenali vazhdoi trysninë dhe në minutën e 44-të arriti të shënojë për 2-0 me anë të Alexandre Lacazette.

Në pjesën e dytë, vendasit ishin diçka më të mirë duke tentuar disa herë të ngushtojnë epërsinë, por golin e arritën vetëm në minutat shtesë me autgolin e Sead Kolasinac dhe ndeshja përfundoi me fitoren e Arsenalit me rezultat 2-1.

Festa e Lacazettes pas golit (Foto: Gareth Copley/Getty Images/Guliver)

Pas kësaj fitore, londinezët kanë 50 pikë në vendin e pestë, po aq sa Chelsea në të pestin dhe një më pak se Unitedi në të katërtin, ndërsa Huddersfield në pozitën e fundit me vetëm 11 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Topçinjtë e presin në shtëpi Southamptonin, ndërsa Huddersfield udhëton te Newcastle. /Telegrafi/