Telegrafi

Arsenali triumfon ndaj Evertonit dhe vazhdon ngjitjen në tabelë

Arsenal (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Arsenali ka arritur të fitojë me rezultat të ngushtë 3-2 ndaj Evertonit në takimin e vlefshëm për javën e 27-të në Ligën Premier.

Ekipi i Mikel Artetas ka vazhduar me formë të mirë duke marr edhe fitoren e radhës në kampionat dhe duke u afruar me pozitat që e dërgojnë në Evropë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilët përveç rasteve të krijuara, shënuan edhe nga dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pa u mbushur mirë një minutë lojë dhe ishte Domenic Calvert-Lewin, i cili me një gol të bukur kaloi Evertonin në epërsi 0-1.

Arsenali arriti të kthehet në lojë në minutën e 27-të me anë të Edward Nketiah, i cili barazoi në 1-1, ndërsa Pierre-Emerick Aubameyang (35’) kaloi ekipin e tij në epërsi 2-1.

Kur pritej që pjesa e parë të mbyllej në skenë doli Richarlison që shënoi nga afërsia dhe qoi skuadrat në pushim me rezultat 2-2.

Në pjesën e dytë, u zhvillua përsëri lojë e hapur, me shumë raste dhe e barabartë nga të dyja skuadrat, por vetëm vendasit gjetën golin.

Ishte Aubameyang (46’), i cili shënoi për 3-2 dhe përkundër shumë rasteve tjera ky doli të ishte rezultatin përfundimtar i takimit.

Pas kësaj fitore, Arsenali e sheh veten në pozitën e nëntë me 37 pikë, ndërsa Evertoni renditet i 11-ti me 36 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Topçinjtë luan në shtëpi ndaj West Hamit, ndërsa Evertoni e pret Manchester Unitedin. /Telegrafi/