Arsenali ka luajtur baras si mysafir i Watfordit (2-2) edhe pse ishte në epërsi prej dy golash në pjesën e parë të takimit që u zhvillua në Vicarage Road.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 21-të kur Pierre-Emerick Aubameyang pranoi një pasim preciz nga Sead Kolasinac dhe e mposhti portierin kundërshtar.
Nuk zgjati shumë dhe Topçinjtë e dyfishuan epërsinë. Nicolas Pepe dhuroi një asistim të mirë për Aubameyang, i cili u tregua i saktë nga afërsia.
Me epërsi të dyfishtë të mysafirëve, skuadrat shkuan në pushim, ndërsa vendasit e kishin të qartë se duhet t’i ndryshonin gjërat në fraksionin e dytë.
Dhe e bënë pikërisht këtë. Pas një gabimi të lojtarëve të Arsenalit, Tom Cleverley realizoi për t’i dhënë shpresë ekipit të tij (53′).
Pas shanseve të njëpasnjëshme të nikoqirëve, gjyqtari akordoi penallti pas një gabim të David Luiz, ndërsa Roberto Pereyra ishte i saktë nga pika e bardhë (80′) dhe e barazoi rezultatin.
Vendasit u përpoqën ta fitonin ndeshjen në minutat e mbetura, mirëpo nuk arritën ta shënonin edhe golin e tretë.
Ky ishte barazimi i dytë i Arsenalit që numëron edhe dy fitore dhe një humbje. Watfordi ka regjistruar vetëm barazimin e dytë, teksa ka pësuar tri herë. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=hr8098l7-pU
https://www.youtube.com/watch?v=YQG_CrZG6DE
https://www.youtube.com/watch?v=MlG8WE1QGCQ