Arsenali ka fituar me rezultat 2-1 ndeshjen ndaj Bournemouthit e vlefshme për javën e 13-të në Ligën Premier.
Skuadra e drejtuar nga Unai Emery i është kthyer fitores pas tri barazimeve radhazi, teksa ia ka shkaktuar humbjen e tretë me radhë Bournemouthit.
Pjesa e parë e ndeshje i takoi për një nuancë Arsenalit, por të dyja skuadrat arritën të tundin nga një herë rrjetën.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 30-të, ku Jefferson Lerma shënoi autogol për t’i dhënë epërsinë 0-1 Arsenalit.
Për golin e barazimit 1-1 u përkujdes Joshua King, i cili shënoi një gol të bukur në minutat shtesë të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë ishin Topçinjtë që krijuan më shumë dhe arritën të shënojnë edhe golin e fitores.
Goli i vetëm në këtë pjesë dhe i fitores së Arsenalit erdhi në minutën e 67-të, ku Pierre-Emerick Aubameyang shënoi për 1-2 pas asistimit të Sead Kolasinac.
Me këtë fitore, Arsenali tani ka 27 pikë në vendin e pestë apo vetëm një pikë më pak se Chelsea në vendin e katërt, ndërsa Bournemouth zë vendin e tetë me 20 pikë.
Në ndeshjen e radhës, londinezët e presin Tottenhamin, teksa Bournemouth udhëton te Manchester City. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=o3pYeuJ3lzk
https://www.youtube.com/watch?v=z5WJwAEhyW0
https://www.youtube.com/watch?v=qrMWo6b2h40