Me rezultat 3-2, Arsenali e ka mposhtur Watfordin, në një takim që nuk kishte rëndësi për ta, por skuadrës kundërshtare i kushtoi me rënie nga Liga Premier.
Në minutat e para të fillimit të ndeshjes u akordua penallti në favor të Topçinjve, të cilën e konvertoi në gol Pierre-Emerick Aubameyang (5’).
Kieran Tierney e dyfishoi epërsinë (24’) pas asistimit nga Aubameyang, ndërsa ky i fundit e shënoi edhe golin e tretë të skuadrës nikoqire (33’).
Në minutat e fundit të gjysmës së parë, u akordua penallti për mysafirët, ndërsa Troy Deeney ishte i saktë nga pika e bardhë (43’).
Falë asistimit të Ismaila Sarr, Danny Welbeck e ngushtoi akoma rezultatin (66’) duke i dhënë shpresa skuadrës së tij.
Megjithatë, deri në fund të sfidës, ata nuk arritën t’i ndryshonin gjërat dhe në këtë mënyrë dolën të zhgënjyer.
Watfordi në sezonin e ardhshëm do të bëjë gara në ligën e dytë angleze – Championship, derisa Arsenalit ka mbetur jashtë zonës evropiane dhe do të ketë objektiva të reja në edicionin 2020/2021. /Telegrafi/