Arsenali ka fituar mes shumë vështirësive në fund të ndeshjes me rezultat 1-0 në udhëtim te Burnley.
Gjiganti londinez ka arritur një fitore të vështirë, por të madhe në udhëtimin e tyre te Burnley në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit anglez.
Skuadra e drejtuar nga Arsene Wenger ka vuajtur mungesën e yllit gjerman, Mesut Ozil, i cili në ndeshje të tilla mund ta bëj diferencën me ndonjë asistim perfekt dhe u mjaftua vetëm me një gol në minutat shtesë që ia dhuroi fitoren.
Pjesa e parë e takimit ishte pothuajse e barabartë, me vendasit që ishin për një nuancë më të mirë, pasi patën një goditje drejt portës.
Ishte Johann Gudmundsson (15’), i cili rrezikoi portierin Petr Cesh, por nuk arriti të gjej golin dhe skuadrat shkuan pa gola në pushimin mes dy pjesëve.
Në pjesën e dytë, Arsenali arriti të këndellet dhe t’i jap më shumë volum lojës duke rrezikuar disa herë, por goli i fitores erdhi vetëm në minutat shtesë dhe u shënua nga Alexis Sanchez, i cili ishte i saktë nga pika e bardhë për ta vulosur fitoren me rezultat përfundimtar 1-0.
Pas kësaj fitore, Topçinjtë ngjiten në vendin e katërt me 25 pikë, ndërsa Burnley në vend të shtatë me 22 pikë të mledhura.
Në ndeshjen e ardhshme, skuadra londineze e pret në shtëpi Huddersfieldin, ndërsa Burnley udhëton drejt Bournemouthit. /Telegrafi/