Telegrafi

Arsenali fiton ndeshjen e fundit për Wengerin

Arsenali ka arritur fitore në udhëtim te Huddersfield Town 0-1 në ndeshjen e fundit për trajnerin Arsene Wenger në krye të Topçinjve.

Para fillimit të ndeshjes, futbollistët e dy skuadrave bënë një korridor nderi për trajnerin e Arsenalit, Arsene Wenger.

Francezi e udhëhoqi Arsenalin për herë të fundit si trajner i tyre.

(Photo/Getty Images)

Edhe klubi vendas Huddersfield i bëri një dhuratë Wengerit për kontributin e dhënë në futbollin anglez.

Gjithsesi në fushë vendasit filluan më mirë ndeshjen dhe rrezikuan dy herë portën e londinezëve.

Christopher Schindler dhe Tom Ince patën raste të mira por që nuk arritën cakun.

Arsenali u kundërpërgjigj në fund të pjesës së parë kur në rastin e parë shënuan gol.

Ishte sulmuesi afrikan Pierre Emerick Aubameyang që shënoi për 0-1 pas asistimit nga Aaron Ramsey.

(Photo /Getty Images)

Me këtë rezultat edhe përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Në pjesën e dytë ndeshja ishte më e qetë nga dy skuadrat.

Rastin më të mirë për gol për vendasit e pati Aaron Moy por që intervenoi Ospina.

Ndërkohë për Topçinjtë, Granit Xhaka dhe Lacazette rrezikuan por që rezultati mbeti i pandryshuar.

(Photo /Getty Images)

Në këtë takim nga minuta e parë për Huddersfieldin u paraqit Florent Hadergjonaj, ndërsa te Arsenali Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi.

Kësisoj Arsenali e përshëndet Wengerin me fitore dhe e përfundon këtë edicion të Ligës Premier në pozitën e gjashtë me 63 pikë të tubuara.

Ndërkohë Huddersfield ia ka arritur qëllimit duke mbetur në elitën e futbollit anglez, pasi përfundon në pozitën e 17-të me 37 pikë. /Telegrafi/