Arsenali ka fituar me lehtësi ndaj Watfordit me rezultat 3-0 në takimin e vlefshëm për javën e 30-të të Ligës Premier.
Skuadra e Arsene Wengerit i është kthyer fitoreve në kampionatin anglez pas tri humbjeve radhazi, duke e dominuar Watfordin për 90 minuta.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas tetë minutave lojë, ku Shkodran Mustafi shënoi një gol të bukur me kokë për 1-0 pas asistimit të Mesut Ozil.
Në vazhdim të pjesës së parë të dy skuadrat patën disa raste të mira për gol, por dështuan ta gjejnë rrjetën dhe në pushim shkuan me epërsi minimale.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të Topçinjve, të cilët dyfishuan epërsinë në minutën e 59-të me anë të Pierre-Emerick Aubameyang, i cili kaloi portierin për të shënuar për 2-0 pas asistimit të Henrikh Mkhitaryanit.
Watfordi pati mundësi të mirë të kthehet në lojë në minutën e 62-të, por sulmuesi i tyre Troy Deeney nuk ishte i saktë nga penalltia, pasi Petr Cech ia priti atë.
Në minutën e 77-të të ndeshjes, Mkhitaryan shfaqet përsëri në lojë, ku tani ishte ai që shënoi për 3-0 pas asistimit të Aubameyangut dhe vulosi fitoren e pastër të Arsenalit.
Pas kësaj fitore, Arsenali mbetet në pozitën e gjashtë me 48 pikë apo 10 më pak se vendi i katërt, ndërsa Watfordi në vendin e dhjetë me 36 pikë.
Në takimin e radhës, londinezët e presin Stoke Cityn, ndërsa Watfordi udhëton drejt Liverpoolit. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=f3vbCBqVP3M
https://www.youtube.com/watch?v=JIPms-9A3tc