Telegrafi

Arsenali blindon Odegaardin me kontratë të re, norvegjezi ndihet i lumtur dhe emocionuar

Martin Odegaard ka nënshkruar një kontratë të re afatgjatë me Arsenalin dhe për këtë ndihet i lumtur, pasi klubin nga Emirates e cilëson si shtëpia e tij.

Reprezentuesi norvegjez është tani në sezonin e tij të katërt me Arsenalin, pasi fillimisht u bashkua si huazim nga Real Madridi në janar të vitit 2021.

Odegaard u emërua lojtari më i mirë i Arsenalit sezonin e kaluar ku shkëlqeu duke shënuar 15 gola në Ligën Premier duke udhëhequr ekipin si kapiten.

Pas paraqitjeve superiore, klubi nga Emirates ka vendosur ta blindojë norvegjezin me një kontratë të re pesëvjeçare, e cila zgjatë deri në qershor të 2028.

“Kapiteni ynë Martin Odegaard ka nënshkruar një kontratë të re afatgjatë me klubin”, thuhet në njoftimin e Arsenalit.

Pas nënshkrimit të kontratës është prononcuar edhe vet Odegaard, i cili ka treguar se ndihet i lumtur që luan në një klub kaq të veçantë.

“Jam shumë i emocionuar për atë që do të vijë këtu. Kam gjetur një vend ku mund të vendosem vërtet dhe të quaj shtëpia ime. Në Arsenal, që nga dita e parë, jam ndjerë mirë dhe kjo është padyshim shtëpia ime”, ka thënë fillimisht Odegaard.

“Nënshkrimi i një kontrate të re ishte një vendim vërtet i lehtë për mua, ajo që po bëjmë tani si klub është e veçantë dhe unë dua të jem pjesë për këtë”, përfundoi mesfushori. /Telegrafi/