Pas vrasjes së Valon Sadikut dje në Mitrovicë, Policia ka konfiskuar arsenal armësh në banesën e të dyshuarit për këtë krim.
“Një granatë dore, shufër me mbishkrimin policevsing, shkop druri, karikator i zbrazët i AK-47, kondak druri i AK-47, fitil ndezës i granatës, shufër metalike, kapelë-maskë, shall, gazmaskë, tre shirita dhe dy fishekë,” thuhet se u gjetën në banesën e atij që dyshohet se vrau Valon Sadikun.
Siç përshkruhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, kopjen e së cilës e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari V.B. është djali i Valbona Fazliu Beqirit, asamblistes së PDK-së në Kuvendin e Mitrovicës, ndërsa Esat Beqiri, babai i të dyshuarit për këtë vrasje punon në Kuvendin e Kosovës.
Fazliu-Beqiri ka mohuar që të dy prindërit të jenë në dijeni se në banesën e tyre janë gjetur gjëra të ndaluara.
“As unë, e as burri im Esati nuk jemi në dije se në shtëpinë tonë janë gjetur armë, apo diçka tjetër që ju po e potenconi. Ne gjatë asaj kohe kemi qenë në polici, jemi të shqetësuar dhe nuk mundemi të prononcohemi me shumë,” tha Fazliu Beqiri për KALLXO.com.
Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, i mituri V.B. dyshohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi të armës, ndërsa i mituri tjetër H.V. dyshohet për dhënien e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.
Kërkesa e Prokurorisë në Mitrovicë për paraburgim sqaron se vrasja e djeshme ndodhi pas një zënke që kishte ndodhur disa ditë me parë në mes të tash të ndjerit Valon Sadiku dhe të dyshuarit V.B. ku ky i fundit e kishte kërcënuar Valon Sadikun me thikë.