Telegrafi

Arritjet e filmit ‘Shok’ shtyjnë Qeverinë të ndaj 250 mijë euro për QKK-në

Qeveria e Kosovës ka ndarë 250 mijë euro për Qendrën Kinematografike të Kosovës, pas arritjeve që ka pasur ky institucion me rastin e nominimit të Filmit “Shok” në Oscar.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala tha se Qendra Kinematografike ka realizuar projekte të rëndësishme.

“250 mijë euro do t’i ndahen për mbështetjen e kinematografisë dhe se këto mjete do të merren nga fondi rezervë i Qeverisë”, tha Shala.

Ministri Shala u shpreh se Qendra e Kinematografisë së Kosovës viteve të fundit ka realizuar projekte filmike që kanë arritur suksese të rëndësishme, me të cilat mburret Kosova dhe, së fundi, filmi “Shok”, i cili ia hapi rrugët filmit tonë dhe e radhiti në mesin e veprave më të mira të industrisë së filmit botëror.

Më tej ministri Shala u shpreh se ky sukses i jashtëzakonshëm ka krijuar një standard të ri në industrinë tonë të filmit, ngase qëllimi është të bëhen realizime sa më të arrira, të cilat kërkojnë edhe angazhime shumë më profesionale dhe të mbështetura mjaftueshëm financiarisht.