Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka njoftuar se të hënën kanë arritur në Kosovë “pionierët e ushtrisë gjermane”, të cilët do ta përgatisin terrenin për kontingjentin e ri të ushtarëve gjermanë që pritet të vijnë gjatë muajit prill.
Rohde, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se “Gjermania vazhdon të marrë përgjegjësinë brenda KFOR-it të NATO-s në Kosovë”.
“Si hap i parë drejt një pranie më të madhe ushtarake në terren, pionierë nga Bundeswehr mbërritën dje në Kosovë për të përgatitur terrenin për rritjen e sërishme të kontingjentit gjerman të KFOR-it”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi.
Gjermania ka njoftuar se nga prilli do ta rrisë prezencën e ushtarëve në misionin e KFOR-it në Kosovë.
Këtë vendim Gjermania e mori pas tensioneve që ndodhen në komunat veriore me shumicë serbe, në maj të vitit të kaluar.
Me ardhjen e trupave të ri, Gjermania pritet të ketë gjithsej rreth 200 ushtarë në KFOR./Telegrafi/